Lidhje

Dobësia e institucioneve i ekspozon vendet e Ballkanit ndaj terrorizmit - 2004-05-07


Një ekspert amerikan mendon se dobësia e shteteve dhe institucioneve në vendet e Ballkanit, si edhe paqëndrueshmëria e këtij rajoni gjatë dekadës së fundit, e bën atë një zonë të ekspozuar ndaj grupeve terroriste rajonale, ose ndërkombëtare. Ilan Berman, zëvendës president i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme, shprehet në një intervistë për Zërin e Amerikës se rreziku më i madh në këtë rajon është lidhja mes krimit të organizuar dhe terrorizmit me mundësinë e përhapjes së armëve bërthamore. Zoti Berman thotë gjithashtu se pesha e vendeve të rajonit do të rritej shumë në Washington, nëse ato do të punonin më shumë për ta parandaluar këtë përhapje.

Zëri i Amerikës: Zoti Berman, në një konferencë të kohëve të fundit për Ballkanin Perëndimor ju ngritët shqetësimin e përdorimit të kësaj zone, Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit në përgjithësi, si rrugë për terrorizmin, ndoshta edhe si strehë. Ku e mbështesni këtë pohim?

Ilan Berman: Mendoj se është një shqetësim i përgjithshëm për shtete të dobëta dhe institucione të dobëta që janë të ekspozuara ndaj korrupsionit, ndaj shfrytëzimit nga forca të jashtme. Ballkani pa dyshim është shfaqur gjatë dekadës së fundit, si një burim i paqëndrueshmërisë rajonale, për shkak të korrupsionit në institucione, problemeve me sigurinë ndërkufitare dhe të metave të zbulimit. Dhe ky është pa dyshim lloji i dinamikës që grupet terroriste kërkojnë dhe që përpiqen ta shfrytëzojnë. Ata kërkojnë shtete të dobëta për t’i përdorur për të ngritur baza. Kështu që bëhet fjalë për një shqetësim të përgjithshëm, që Ballkani mund të shndërrohet dhe në një farë mase është shndërruar, por ka mundësinë të shndërrohet edhe më shumë, në një zonë ku të veprojnë grupe terroriste rajonale, ose ndërkombëtare. Për shembull, qeveria amerikane dhe veçanërisht Departamenti i Thesarit, ka punuar për një kohë të konsiderueshme në Bosnje, duke kontrolluar institucione financiare dhe organizata që shfaqen si humanitare, por që në fakt janë kanale përmes së cilave rrjedhin paratë tek grupe radikale, mes së cilave edhe al-Kaida. Kjo është diçka shumë shqetësuese tek e cila po përqendrohen intensivisht Administrata e Presidentit Bush dhe aleatët e saj, përsa i takon ndërprerjes së burimeve për grupet terroriste jashtë Shteteve të Bashkuara. Mendoj se Washingtoni është shumë i interesuar që të bashkëpunojë me vendet e rajonit, që të marrë masat që institucionet financiare dhe ato shoqërore të mos shfrytëzohen më nga terroristët, ose nga rrjete të krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Ju përmendni dobësinë e institucioneve dhe problemet që kanë keto vende. A ka ndonjë lidhje mes kësaj dobësie dhe mes faktit që në disa vende, për shembull në Bosnje-Hercegovinë, por edhe në Shqipëri veprojnë organizata humanitare myslimane, për shkak të popullsisë së madhe myslimane në këto vende?

Ilan Berman: Pa dyshim dhe në fakt nëse u hedh një sy organizatave si Lidhja e Botës Myslimane, ose si Organizata Islamike Ndërkombëtare e Ndihmës, të gjitha këto grupe janë lidhur me Arabinë Saudite dhe dyshohet të jenë të përfshira në përcjelljen e financimeve tek grupet terroriste. Kjo është diçka shumë problematike, pasi ato kryejnë edhe funksione legjitime humanitare, por nën maskën e ketyre funksioneve ka patur edhe depërtime të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor të terroristëve apo elementeve që i përkrahin ata, që mbështeten nga këto struktura të ngritura gjatë dekadës së fundit.

Zëri i Amerikës: Sa i madh është ky rrezik, sa i pranishëm është rreziku i veprimtarisë së organizatave terroriste në vendet e Ballkanit dhe sidomos të Ballkanit Perëndimor?

Ilan Berman: Mendoj se nuk është thjesht një rrezik, mendoj se po vazhdon aktualisht. Ato që ndryshojnë janë përmasat e shfrytëzimit të këtyre zonave. Ka patur raporte të konsiderueshme zbulimi, nga burime të zbulimit amerikan dhe të Evropës Perëndimore, që sugjerojnë se Al-Qaida veçanërisht po përdor Bosnjen, si një zonë organizimi dhe rekrutimi, kështu që rreziku është shumë real. Mendoj se rreziku më i madh është lidhja mes krimit të organizuar dhe terrorizmit me mundësinë për përhapje katastrofike bërthamore. Ballkani është shumë pranë gjeografikisht me një arsenal bërthamor përgjithësisht të paruajtur mirë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe shanset që materialet katastrofike të transportohen dhe të futen në rrugët e tregëtisë së krimit të organizuar që përshkojnë Ballkanin, është shumë real. Dhe ky është pikërisht kombinimi, për të cilin është shumë e shqetësuar administrata e Presidentit Bush. Ajo po kërkon me këmbëngulje ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për të luftuar këtë lloj dinamike.

Zëri i Amerikës: Kur flitet për angazhimin amerikan në rajonin e Ballkanit bëhet fjalë më shpesh, sidomos kohët e fundit, për Kosovën, për shkak se atje nuk është zgjidhur ende problemi i statusit përfundimtar. Ndërkohë vëmendja amerikane është përqendruar më shumë në Lindjen e Mesme, sidomos që pas 11 shtatorit. Si mendoni se duhet të jetë ky angazhim dhe a duhet të ketë të bëjë ky angazhim pikërisht me këtë rrezik në kuadrin e luftës kundër terrorizmit.

Ilan Berman: Keni të drejtë, vëmendja ka qenë e përqendruar tek statusi diplomatik lidhur me Kosovën, por mendoj se nuk duhet harruar që lufta kundër terrorizmit në të cilën është e angazhuar administrata e Presidentit Bush është e përhapur në një territor të gjerë dhe në shumë fronte. Një nga më të rëndësishmit është përpjekja për të mos lejuar shfrytëzimin e një lidhjeje mes terrorizmit dhe përhapjes së materialeve të rrezikshme dhe pikërisht në këtë drejtim Ballkani Perëndimor mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, sepse Nisma për Sigurinë Ndaj Përhapjes që u krijua para 11 muajsh në Krakow të Polandës, ka si qëllim krijimin e një koalicioni rajonal, për të parandaluar trafikimin e armëve të shkatërrimit në masë. Është e natyrshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e një strukture të tillë, ose diçkaje të ngjashme me të, sepse ato mund të japin një kontribut shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, që deri tani nuk është shtruar për diskutim në kuadrin e përhapjes së armëve të rrezikshme: Bëhet fjalë për trafikimin përmes tokës, ka rrugë ekzistuese që përdoren nga krimi i organizuar, që përshkojnë Rumaninë, Bullgarinë, që përshkojnë Ballkanin për të përfunduar në Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të NATO-s. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të luajnë një rol aktiv, duke forcuar masat e sigurisë në kufi, të fillojnë kapjen e personave që kryejnë veprimtari të tilla. Ky është një hap i rëndësishmëm, jo vetëm sepse do të jepnin një kontribut shumë real për sigurinë euro-atlantike, por edhe sepse një gjë e tillë do ta rriste në mënyrë të konsiderueshme rëndësinë e këtyre vendeve këtu në Washington.

XS
SM
MD
LG