Lidhje

Pasoja politike të abuzimeve të të burgosurve irakianë - 2004-05-08


Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se sjellja e një numri të vogël amerikanësh në radhët e forcave ushtarake është tronditëse. ”Praktika të tilla nuk pasqyrojnë vlerat tona. Ata janë njollë në nderin e kombit amerikan dhe në emrin e tij”, tha Presidenti.

Fotografi të të burgosurve lakuriq, që poshtërohen nga trupat amerikane, janë dënuar gjerësisht brenda dhe jashtë Irakut. Presidenti Bush dhe anëtarë të administratës së tij janë përpjekur t’i frenojnë pasojat politike nga abuzimet e njoftuara.

Presidenti Bush thotë se ata që janë përfshirë në këto shkelje, do të ndëshkohen dhe të gjitha operacionet në lidhje me burgjet në Irak po rishikohen për të garantuar që ato ”incidente të turpshme”, siç shprehet ai, nuk do të përsëriten më.

Presidenti thotë se ajo që ndodhi, ishte faji i një numri të vogël njerëzish dhe nuk pasqyron karakterin e më shumë se 200 mijë forcave ushtarake amerikane, që kanë shërbyer në Irak që nga fillimi i luftës.

Zoti Bush thotë se trupat amerikane shkuan të çlirojnë Irakun dhe t’i kthejnë sovranitetin popullit të tij. Tranzicioni do të vazhdojë sepse, siç u shpreh Presidenti Bush, nuk do ta linte Irakun në mëshirën e banditëve dhe vrasësve. ”Jemi të vendosur të ndihmojmë në ndërtimin e një Iraku të lirë e të qendrueshëm - një vendi në paqe me fqinjët e tij dhe botën. Amerika u është mirënjohëse burrave e grave që shërbejnë në ushtri, dhe familjeve të tyre që ndeshen me vështirësi dhe vuajnë nga ndarja e gjatë. Njerëzit tanë që kanë veshur uniformën ushtarake, janë më të mirët që ka Amerika”, tha Presidenti Bush.

Në fjalimin e demokratëve në radio, gjenerali në pension, Wesley Clark, thotë se abuzimet në burg janë një shembull tjetër i udhëheqjes së dobët të presiednti Bush. ”E vërteta është se Presidenti Bush ka bërë gabime pas gabimesh si komandant suprem i forcave të armatosura, fillimisht duke na futur në luftë, së cilës nuk ishim të detyruar t’i hynim të vetëm dhe nën pretekste të rreme, dhe tani po e drejton atë mjaft dobët. Vetë misioni në Irak është në rrezik, ndërkohë që afati që i kemi imponuar vetes për t’ua kaluar sovranitetin irakianëve, po afron”, tha gjenerali.

Gjenerali Clark thotë se Presidenti Bush duhet të arrijë që edhe vende të tjera të përfshihen në këtë proces duke krijuar një organizatë ndërkombëtare për sigurimin e ndihmës ekonomike dhe politike duke e pakësuar kështu barrën që thotë se Amerika po mbartnë Irak.

Gjenerali Clark ka qenë deri para disa muajsh kandidat demokrat që pretendonte emërimin e partisë së tij si kandidati i saj presidencial për të dalë kundër Presidentit Bush në zgjedhjet e këtij viti. Që nga dalja nga gara, ai ka vazhduar të jetë aktiv në politikën demokrate.

Demokratë në kongres po i bëjnë thirrje Presidentit Bush që ta shkarkojë Sekretarin e Mbrotjes, Donald Rumsfeld, për shkak të skandalit. Zoti Bush thotë se Sekretari Rumsfeld do të qendrojë në kabinetin e tij.

Në një dëshmi dje para kongresit, zoit Rumsfeld tha se ka edhe fotografi të tjera dhe video-regjistrime të tjera abuzimesh.

//rd//

XS
SM
MD
LG