Lidhje

Një shans i ri për Haitin - 2004-05-09


Në Haiti po kthehet qëndrueshmëria nën qeverinë e përkohshme të presidentit Boniface Alexander dhe kryeministrin Gerard Latortue. Është krijuar një këshill zgjedhor dhe zgjedhjet janë planifikuar për vitin e ardhshëm.

Kryeministri Latortue ishte në Washington ku u takua me Këshilltaren për Sigurimin Kombëtar Kondoliza Rais dhe Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell. Zoti Pauell tha se Haiti ka mënjanuar një kasaphanë, por “ka nevoja të mëdha për ndihma financiare.”

“Ne po shqyrtojmë të gjitha llogaritë që kemi në dispozicion për të parë se çfarë mund t’i dërgojmë Haitit në formë ndihme. Po shqyrtojmë një llogari kundër trafikut të drogës. Dhe pa dyshim, sapo t’i kemi të qarta nevojat e përgjithshme do t’i pasqyrojmë në procesin normal të buxhetit. Por po bëjmë përpjekje të shumta dhe po përpiqemi të gjejmë mënyra për të angazhuar për ndihmë edhe departamente të tjera,” tha zoti Pauell.

Kryeministri i përkohshëm Latortue është angazhuar ta reformojë qeverinë e Haitit, për të përmirësuar atmosferën e investimeve, për të rikthyer pavarësinë dhe udhëheqjen profesionale për Policinë Kombëtare të Haitit si dhe për të luftuar trafikun e drogës. Veprime të tilla janë të nevojshme për të bërë të mundur rimëkëmbjen e Haitit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë Haitin të eliminojë korrupsionin që ka çuar në varfëri në shkallë të gjerë. Haiti është vendi më i varfër në Hemisferën Perëndimore. Rreth 80 për qind e popullsisë jeton në varfëri. Afro 70 për qind e të gjithë haitianëve varen nga sektori bujqësor, i cili përbëhet kryesisht nga ferma të vogla për nevoja vetjake.

Më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1542 për të dërguar paqeruajtës në Haiti. Kombet e Bashkuara do të marrin më 1 qershor përgjegjësitë nga forca shumëkombëshe e përbërë nga 3 mijë e 800 trupa nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Kili dhe Franca.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera janë të angazhuara për të ndihmuar Haitin dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ndihma financiare është po ashtu e rëndësishme. Por është në duart e popullit haitian dhe udhëheqësve të tij të rinj për të bërë të mundur vendosjen e demokracisë në Haiti. //ad//

XS
SM
MD
LG