Lidhje

Arafat: krijimi i shtetit palestinez vitin e ardhshëm është real - 2004-05-09


Presidenti palestinez Jaser Arafat tha se beson që krijimi i shtetit palestinez vitin e ardhshëm është i mundshëm edhe pse presidenti Bush sygjeroi se një gjë e tillë nuk është më reale.

Zoti Arafat tha se populli i tij kishte pritur për krijimin e një shteti të pavarur para pesë vjetesh bazuar në marrëveshje të nënshkruara më parë me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se krijimi i një shteti të tillë në vitin 2005, siç kërkohet në marrëveshjen e paqes, është më se realist.

Udhëheqësi palestinez i bëri këto komente pas një interviste të presidentit Bush dhënë gazetës egjiptase Al Ahram. Presidenti Bush tha se viti 2005 si datë për krijimin e shtetit palestinez nuk është aq real sa ishte dy vjet më parë për shkak të dorëheqjes së disa zyrtarëve të rëndësishëm palestinez dhe dhunës së vazhdueshme në rajon.

Presidenti Bush u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në negociatat e Lindjes së Mesme të përpiqen sa më shumë për të krijuar një shtet sa më shpejtë që të jetë e mundshme.

Ndërkohë dje nga një shpërthim në pjesën arabe të Jerusalemit u plagosën pesë palestinezë. Policia izraelite tha se shpërthimi ndodhi nga gazi, dhe jo nga ndonjë bombë. Shpërthimi shkatërroi një dyqan afër Portës së Damaskut në pjesën e vjetër të Jerusalemit.

XS
SM
MD
LG