Lidhje

Beogradi, një vit pas Xhinxhiçit - 2004-05-09


Një vit pas vrasjes së kryeministrit reformator Zoran Xhinxhiç, Sërbia ka një qeveri më nacionaliste dhe më pak reformatore, e cila mbështetet tek partia e ish diktatorit Sllobodan Millosheviç për të siguruar shumicën në parlament. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood, njofton se këto nuk janë ditë aq të gëzueshme në kryeqytetin serb.

Lulet mund të kenë çelur në Beograd, por atje nuk duket se mbretëron një atmosfera pranverore.

Njerzit në këtë qytet janë të kapluar nga përvjetorë të zymtë dhe ngjarje aktuale po aq shqetësuese. Para 5 vjetësh, NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve për të detyruar tërheqjen e forcave sërbe nga Kosova. Në Beograd ende mund të shihen shënjat e atyre bombardimeve. Dhe megjithëse në tetor të vitit 2000 pati një revoltë popullore që çoi në përmbysjen e Sllobodan Millosheviçit, personi që udhëhoqi kryengritjen dhe u bë kryeministër, Zoran Xhinxhiç, u vra para një viti.

Kohët e fundit, sërbët që lexojnë gazetat e tyre dhe shikojnë televizionin, u tmerruan nga sulmet e 17 marsit kundër bashkëatdhetarëve të tyre në Kosovë. Më e rëndë për shumë sërbë është ndjenja e paaftësisë për të ndihmuar.

Këtë javë sërbët mësuan lajmin se Shtetet e Bashkuara po pezullonin ndihmën ekonomike sepse Beogradi nuk ka përmbushur kërkesën e Washingtonit për të bashkëpunuar plotësisht me gjykatën e Hagës për krime lufte. Ky njoftim nuk ka ngjallur reagime të theksuara.

Një gazetare e re në Novi Sad shpreh frikën se nacionalizmi është përsëri në rritje në Sërbi. Ajo thotë se nuk ka shumë shpresa se qeveria e re me në krye Vojisllav Koshtunicën do të përshprejtojë reformat demokratike dhe të tregut të lirë, që ajo parapëlqen aq shumë. Ajo ka frikë se përparimi drejt së ardhmes tashmë është penguar.

Në Beograd, veprimtari i të drejtave të njeriut, Nebojsha Tahiç, ka pikëpamje të ngjashme. Ai mendon se vrulli i zbatimit të reformave mori fund me vrasjen e zotit Xhinxhiç. Zoti Tashiç parashikon që politikanët konservatorë dhe nacionalistë do të përparojnë gjatë muajve të ardhshëm.

“Nëse ti banon këtu, atëhere duhet të pranosh se nacionalistët fituan dhe ne humbëm. Duhet të pranosh gjithashtu se ne nuk jetojmë në një vend dhe në një sistem që duam të jetojmë.”

Në fakt, disa njerëz që ishin optimistë rreth zhvillimeve në Sërbi para 3 vjetësh, tani janë bërë pesimistë. Disa prej tyre kanë në plan të largohen nga vendi.

Por, megjithë gjendjen e rëndë, përmirësime të dukshme janë bërë në Beograd. Nëpër rrugë shikon autobuzë dhe vetura të reja. Atje ka dyqane të reja, megjithëse prodhimet e huaja luksoze shpesh as që mund të preken nga sërbët e thjeshtë. Në vend kanë hyrë disa investime të huaja dhe pas disa vjetë izolimi, në përgjithësi sërbët janë të lirë të udhëtojnë kudo.

Analistët politikë kanë gati një shpjegim për paraqitjen relativisht të fortë të nacionalistëve dhe rezultatin e dobët të reformatorëve në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar.

Votuesit, thonë ata, nuk kanë parë shumë rezultate konkrete nga programet shtrënguese dhe puna e rëndë gjatë 3 vjetëve të fundit.

Analistët nuk janë të bindur se qeveria e re do të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar dhe do të vazhdojë politikat që mund t’i sigurojnë Sërbisë më në fund anëtarësimin në institucionet perëndimore.//ii

XS
SM
MD
LG