Lidhje

SHBA: Autoritetet japin urdhër për hapjen e procesit në çështjen e abuzimeve - 2004-05-09


Autoritetet ushtarake amerikane dhanë urdhër për hapjen e procesit të parë gjyqësor këtë muaj kundër njërit prej ushtarëve të akuzuar për abuzimin e të ndaluarve në burgun Abu Graib të Bagdadit.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha dje se ushtari Jeremy Sivits nga Pansilvania do të dalë në gjyq më 19 maj në Bagdad.

Mes të tjerash, zoti Sivits është akuzuar për keqtrajtimin e të burgosurve dhe për mosmbrojtjen e tyre nga keqtrajtimi, aktet mizore dhe abuzimi. Në se gjehet fajtor, ai mund të dënohet deri me një vit burg dhe do të shkarkohet nga detyra për sjellje të papërshtatshme.

Gjashtë roje të tjera të burgut Abu Graib përballen me akuza penale për abuzimin e të burgosurve irakianë. Disa prej abuzimeve cilësohen so tortura në një raport të Kryqit të Kuq.

Disa nga rojet amerikane të burgut kanë thënë se oficerë të zbulimit u kishin thënë atyre që t’i trajtojnë ashpër të burgosurit me qëllim që t’i bënin ata më të gatshëm për të bashkëpunuar me hetuesit.

Ndërkohë, administrata e presidentit Bush shprehu mbështetje të fuqishme për sekretarin amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i cili përballet me thirrje për dorëheqje.

Sipas gazetës amerikane The New York Times, Këshilltarja amerikane e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice, tha se sekretari Rumsfeld gëzon mbështetjen më të madhe të mundur të presidentit Bush. Edhe nën-presidenti Dick Cheney e cilësoi zotin Rumsfeld si sekretarin e mbrojtjes më të mirë që kanë pasur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, gazeta tjetër amerikane The Washington Post njofton se Departamenti amerikan i Mbrojtjes miratoi vitin e kaluar përdorimin e teknikave me forcë fizike gjatë hetimeve në qendrën e paraburgimit në Gjirin Guatanamo të Kubës.

//ze//

XS
SM
MD
LG