Lidhje

Presidenti Bush viziton Pentagonin - 2004-05-10


Në atmosferën e thirrjeve të vazhdueshme për dorëheqjen e zotit Rumsfeld lidhur me skandalin e të burgosurve, Presidenti Bush shkoi në Pentagon për t’i shprehur një mbështetje të fortë dhe personale sekretarit të mbrojtjes. Ti po bën një punë të shkëlqyer, ti je një sekretar mbrojtjeje i fortë dhe vendi ynë ta ka borxh mirënjohjen, tha Presidenti Bush.

Por në të njëjtën kohë, zoti Bush premtoi një hetim të plotë si dhe ndëshkim për ata që mbajnë përgjegjësi për keqtrajtimin e të burgosurve.

Duke qenë se Amerika është e angazhuar për barazinë dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve, ne do t’i sqarojmë plotësisht përgjegjësitë për keqtrajtimin mizor dhe të turpshëm të të burgosurve irakianë. Veprimet që kanë dalë në dritë janë një fyerje për popullin irakian dhe një sfidë që u bëhet standardeve më themelore të moralit dhe dinjitetit, tha presidenti. Duke folur me zotin Rumsfeld, i cili i qendronte në krah, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë të administratës, presidenti pranoi se fotografitë e ushtarëve amerikanë duke keqtrajtuar të burgosurit, të cilat po qarkullojnë kudo, i kanë minuar përpjekjet amerikane në Irak.

Por ai theksoi se ishte ndërhyrja amerikane ajo që përmbysi Saddam Husseinin, , të cilin ai e quajti një tiran.

Personat përgjegjës për këto abuzime kanë shkaktuar një dëm, i cili i kapërcen mjaft muret e burgut. Ai u ka dhënë disa njerëzve shkak për të vënë në pikëpyetje çështjen tonë dhe për të hedhur dyshime mbi motivet tona. E megjithatë, asnjeri nuk dyshon se Iraku është më mirë tani, i çliruar nga njëri prej tiranëve më gjakatarë që ka parë bota, tha Presidenti Bush.

Skandali është bërë shkak që që disa anëtarë të Kongresit dhe disa gazeta me ndikim të kërkojnë dorëheqjen e zotit Rumsfeld. Një nga këto thirrje është bërë nga gazeta Army Times, një nga katër botimet e pavarura që shpërndahen midis armëve të ndryshme të Forcave të Armatosura.

Në editorialin e gazetës skandali i abuzimeve në Irak quhet ”një dështim i udhëheqjes” dhe sipas saj, ai e ka burimin drejtpërdrejt ”tek krerët”. Aty thuhet se nxjerrja e përgjegjësive është me rëndësi thelbësore ”edhe nëse kjo nënkupton lirimin e udhëheqësve të lartë nga detyra në një kohë lufte.”

XS
SM
MD
LG