Lidhje

Bush:  Vendet në zhvillim duhet të ndërmarrin reforma ekonomike dhe politike - 2004-05-10


Sipas programit të ri, vendet që mund të provojnë se po zbatojnë reforma, mund të bëjnë kërkesë për financim nga një fond i posaçëm që quhet Llogaria për Sfidën e Mijëvjeçarit. Ky fond pritet të rezultojë në një rritje të ndjeshme të ndihmës amerikane në 3 vitet e ardhshme dhe është një pikë qendrore në politikën e administratës amerikane për ndihmat.

Megjithëse krijimi i fondit ishte njoftuar nga Presidenti Bush para dy vitesh, vendet e para që përfitojnë prej tij, u shpallën javën e kaluar. Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush u transmetoi sot personalisht urimet e rastit këtyre vendeve gjatë një ceremonie, ku merrnin pjesë ambasadorët e tyre në Washington dhe zyrtarë të tjerë.

Vendet e zgjedhura këtë radhë shërbejnë si shembull për t’u ndjekur nga vendet e tjera të botës në zhvillim se ç’është e mundur të realizohet. Ju keni ndërmarrë hapa të guximshme drejt një pavarësie më të madhe, rritjeje më të madhe ekonomike dhe shpresa më të mëdha për popujt të cilëve u shërbeni.

Të 16 vendet ndodhen në zona të ndryshme të globit, që nga Armenia në Madagaskar, nga Bolivia në Sri Lanka, nga Mali në Mongoli. Presidenti tha se ato kanë zgjedhur rrugën e tyre drejt reformave dhe, si rezultat, popujt e tyre janë tani në gjendje më të mirë".

Për shembull, Madagaskari po lufton në mënyrë agresive korrupsionin. Qeveria po vë gjithashtu në zbatim një program ambicioz reformash juridike. Senegali, demokracia që ka jetuar më gjatë deri tani në Afrikë, ka vënë gjithashtu në zbatim ligje të reja kundër korrupsionit dhe po zbaton masa të reja për të luftuar pastrimin e parave.

Zoti Bush përmendi gjithashtu reformat qeveritare për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Honduras dhe për t’i dhënë shtytje shpenzimeve në fushën e shëndetit dhe edukimit në Gjeorgji. Ai tha se këto masa tregojnë që këto vende kanë vullnetin për të bërë atë që është e domosdoshme për të luftuar me të vërtetë varfërinë.

Reformat mund të bëhen shkas për më shumë ndihma amerikane dhe gjithashtu do të sjellin më shumë investime e tregëti, duke e pakësuar kështu nevojën për ndihmë me kalimin e kohës. Reforma do të shpërblehet disa-fish përmes pakësimit të varfërisë dhe rritjes së pasurisë kombëtare e qendrueshmërisë në këto vende”.

Përveç zbatimit të reformave, vendeve që përfitojnë fonde falas nga Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit, u kërkohet të rendisin objektivat e tyre për të ardhmen dhe të shpallin masa të mëtejshme për të plotësuar nevojat e popullit dhe rritur ekonominë.

XS
SM
MD
LG