Lidhje

Troja fillon të shfaqet në kinematë amerikane - 2004-05-11


Brad Pitt ishte personazhi kryesor në premierën e filmit Troja që u organizua në Nju Jork. Ai shoqërohej në këtë ceremoni nga gruaja e tij Jennifer Aniston, që luan në telekomedinë popullore Friends.

Troja është një film epik me skenar të bazuar në Iliadën e Homerit. Brad Pitt luan rolin e Akilit. Pitt, i cili fitoi fillimisht famë me filmin Thelma and Louise, në filmin e ri na shfaqet me veshjet e lashta dhe me flokë të gjata.

Pitt thotë se për hir të filmit Troja, ai ka mësuar se si të përdorë heshtën. Skenat e betejave ishin planifikuar fillimisht për tu xhiriar në Marok, por më pas u vendos që ato të realizoheshin në Los Cabos të Meksikës për shkak të shqetësimeve për gjendjen në Lindjen e Mesme. Filmi do të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane më 24 maj.

Muzikali “Wicked”, në krye të kandidatëve për çmimet Tony

Muzikali i ri me titullin Wicked kryeson në listën e kandidatëve për çmimet prestigjioze Tony këtu në Shtetet e Bashkuara.

Muzikali është kandidat për 10 çmime, duke përfshirë atë për muzikalin më të mirë. Ceremonia e shpalljes së çmimeve muzikore Tony do të zhvillohet më 6 qershor.

Të dielën, gazeta Nju Jork Tajms botoi një artikull lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe aty thuhej se këto çmime në fakt kontrollohen nga tre institucionet që kanë nën kontroll Broadway-n.

Por zyrtarët që merren me këtë proces reaguan duke thënë se rregullat e përzgjedhjes së kandidatëve dhe të fituesve janë të shpallura në internet dhe asgjë nuk mbahet e fshehtë për sa i përket këtij procesi.//kk//

XS
SM
MD
LG