Lidhje

Shqipëri: Rikthehet hapur konflikti në Partinë Socialiste - 2004-05-11


Ish-kryeministri Ilir Meta iu kundërpërgjigj të martën akuzave të bëra nga kreu i qeverisë dhe kryetari i partisë socialiste Fatos Nano i cili foli të hënën për pseudosocialistë kamikazë.

Zoti Meta deklaroi se ai dhe depuetët e tjerë që e mbështesin nuk do të heqin dorë nga alternativa e tyre dhe se do të gjejnë të gjitha format institucionale për ta shprehur atë, por pa përcaktuar nëse kjo nënkupton shkëputjen nga Partia Socialiste.

Në Partinë Socialiste është rikthyer kështu hapur konflikti i brendshëm mes dy grupimeve. Pas një periudhe disi të qetë, javën e shkuar ish-kryeministri ilir Meta u rishfaq në sulm ndaj rivalit të tij politik, kreut aktual të qeverisë Fatos Nano kur mbajti një fjalim të ashpër dhe kritik në parlament gjatë seancës së debatit rreth raportit të Komisionit Evropian.

Diskutimi i tij u pasua me kritika të tjera ndaj qeverisë dhe deklarime të disa prej përkrahësve të tij duke dhënë kështu shenjat e një fushate të re përplasjesh brenda Partisë Socialiste. Kësaj situate i shërbyen edhe publikimi në shtyp i një liste emrash të njohur socialist që sipas shtypit do të kandidojnë jashtë Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri Fatos Nano shfrytëzoi mbledhjen e djeshme të Komitetit te përgjithshëm drejtues për të reaguar ashpër në përpjekje për të mos i lënë terren zgjerimi kundërshtarit të tij. Në fjalën e tij në komitetin e drejtues zoti Nano foli për pseudosocialistë që sipas tij bashkojnë zërin dhe votën me Berishën deri duke kërcënuar se do të shpërthejnë si kamikaze.

Kryeministri shtoi se ai dhe mijëra socialistët e tjerë nuk do të lejonin që të përdhunoheshin standartet demokratike duke abuzuar me mandatin që kanë marrë në emër të partisë socialiste. Të martën erdhi edhe kundërpërgjigjia e ish-kryeministrit Meta

“Është një gabim shumë i madh të cilësosh kamikaze ata deputetë që ngrejnë shqetësime për mënyrën se si po qeveriset vendi”, tha ai.

Sipas zotit Meta zgjidhja e situatës në Partinë Socialiste mund të arrihet me një rishikim të kongresit të dhjetorit të kaluar dhe të qeverisjes së vendit. Ai tha se nëse vazhdohet me filozofinë e përjashtimit atëherë ai dhe përkrahësit e tij janë të vendosur të ecin me filozofinë e konkurimit.

Ish-kryeministri sërish anashkaloi dhënien e një përcaktimi të qartë nëse mund të arrihet në shkëputjen nga Partia Socialiste dhe krijimin e një partie të re duke u shprehur se do të gjenden të gjitha format institucionale për të shprehur alternativën në të cilën ata besojnë.

Edhe të martën në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ai ishte në qendër të debateve që u hapën lidhur me qëndrimet që ai dhe deputetë të tjerë kanë mbajtur. Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi ka deklaruar se ata duhet të veprojnë sipas vendimeve të grupit dhe t’i respektojë, në rast të kundërt secili është i lirë të ikë.

Ish-kryeministri ka deklaruar se askush nuk mund ta pengojë për të shprehur pikëpamjet e tij ndërsa ka premtuar se do të jetë i gatshëm për të dhënë votën e tij pro për të gjitha vendimet që do të marrë grupi i shumicës. //kk//

XS
SM
MD
LG