Lidhje

Ligjvënësit amerikanë shikojnë fotografi të reja dhe një videokasetë që tregon abuzimin e të burgosurve irakianë - 2004-05-11


Ligjvënësit amerikanë shikuan dje fotografitë që nuk janë publikuar dhe një videokasetë që tregon abuzimin e të burgosurve irakianë nga ushtarët amerikanë, duke i cilësuar ato të tmerrshme dhe të neveritshme.

Pentagoni lejoi anëtarë të Dhomës së Përfaqësusve dhe të 100 senatorët që të kalojnë disa orë duke parë fotografitë.

Disa ligjvënës dhe burime të Pentagonit thonë se fotografitë janë edhe më të rënda se sa imazhet e abuzimit të të burgosurve, që u transmetuan nga mjetet amerikane të informimit para 2 javësh.

Thuhet se fotografitë e reja përmbanin imazhi të poshtërimit seksual, dhunës dhe terrorizimit të të burgosurve me qen ushtarakë.

Disa anëtarë të lartë republikanë të kongresit thanë se nuk janë dakord që administrata e presidentit Bush të publikojë fotografitë e reja.

Senatori John Warner, kryetar i komisionit të senatit për Forcat e Armatosura, tha se publikimi i imazheve të reja mund të nxisë më shumë akte dhune kundër trupave amerikane në Irak dhe mund të kompromentojë proceset gjyqësore të ushtarëve të akuzuar.

Senatori demokrat Bill Nelson dhe anëtarja e Dhomës së Përfaqësusve, Jane Harman, thanë se abuzimet në fotografi tregojnë një dështim më të madh në komandën dhe kontrollin e ushtrisë amerikane.

Po dje, sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, mbrojti teknikat e përdorura gjatë hetimeve ushtarake të përdorura në Irak, duke hedhur poshtë ankesat e disa senatorëve se këto teknika shkelin Konventat e Gjenevës, të cilat diktojnë trajtimin e të burgosurve në bazë të ligjit ndërkombëtar.

//ze//

XS
SM
MD
LG