Lidhje

Bush: Nuk ka justifikim për vrasjen brutale të civilit amerikan Nicholas Berg në Irak - 2004-05-12


Presidenti Bush thotë se nuk ka asnjë lloj justifikimi për vrasjen brutale duke i prerë kokën civilit amerikan Nicholas Berg në Irak. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë u zotua t’i nxjerrë vrasësit para drejtësisë.

Presidenti Bush bëri dje një deklaratë të shkurtër duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe miqve të zoti Berg. Vrasësit thanë se po hakmerreshin për abuzimin e të burgosurve irakianë nga forcat amerikane.

Zoti Bush tha se terroristët që vranë zotin Berg po përpiqen të thyejnë vullnetin dhe vendosmërinë e Amerikës, por shtoi se Shtetet e Bashkuara do ta çojnë deri në fund misionin e tyre për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe paqësore në Irak.

Trupi i afaristit amerikan 26 vjeçar mbrriti dje në Shtetet e Bashkuara. Ceremonia e përmotshme do të zhvillohet nesër në qytetin e tij të lindjes West Chester të shtetit Pensillvania.

Familja e zotit Berg fajësoi qeverinë amerikane për krijimin e kushteve të tilla që indirekt çuan në vrasjen e tij në Irak. Sipas familjes, autoritetet amerikane e ndaluan zotin Berg për 13 ditë në mars, ndalim ky që familja thotë se shkaktoi që ai të humbiste aeroplanin për t’u larguar nga Iraku sipas planit. Me sa duket ai u rrëmbye nga ekstremistët vetëm disa ditë pasi u lirua nga policia irakiane.

Zyrtarët amerikanë thanë se e kishin këshilluar zotin Berg se Iraku ishte një vend i rrezikshëm për civilët dhe kishin ofruar që ta nxirrnin nga ai vend. Trupi i zotit Berg u gjet të shtunën në Bagdad.

//ze//

XS
SM
MD
LG