Lidhje

Pomeroy: komuniteti ndërkombëtar duhet ta përqendrojë vemendjen më shumë te Kosova - 2004-05-13


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Earl Pomeroy thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta përqendrojë vemendjen më shumë te Kosova. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Pomeroy thotë se një nga mësimet që mund të nxirren nga dhuna e muajit mars, është se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion për të garantuar se do të bëhet përparim në politikën standardet përpara statusit.

Zëri i Amerikës: Në mars të këtij viti ne pamë të shënohej një hap prapa në Kosovë. Dhuna ishte një tronditje e madhe për të gjithë. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar ka qenë sa duhet i efektshëm për të garantuar një kalim pa probleme drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar?

Earl Pomeroy: Së pari jam dakord se ngjarjet e muajit mars në Kosovë shënuan një hap prapa. Standardet që të çojnë tek statusi parashikojnë pajtimin midis grupeve etnike, parashikojnë bashkëekzistencën paqësore në Kosovë. Ne e kuptojmë se ato që ndodhën paqyronin në një masë të madhe nervozizmin që çoi në shkatërrimin e shtëpive dhe të kishave. Nuk ka dyshim se kjo ka të bëjë me ekonominë e dobët, papunësinë e lartë si dhe me nervozizmin lidhur me reagimin e komunitetit ndërkombëtar përmes UNMIK-ut dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë, të cilat kërkojnë që gjërat të funksionojnë në mënyrë më efikase. Unë i kuptoj këto shqetësime dhe ne duhet të pranojmë se kjo është një sipërmarrje mjaft e veçantë. Në Kosovë, ne kemi një koalicion vendesh të drejtuara nga Natoja, të cilat arritën t’i jepnin fund shtypjes së Millosheviçit. Tani, detyra është të rindërtohet vendi me përpjekjet e një përfaqësie shumëkombëshe të OKB-së. Kjo nuk mund të jetë shumë efikase. Një vend i vetëm do ta bënte këtë më me efikasitet por nuk mund të veprohet me një vend të vetëm. Prandaj ne duhet ta kuptojmë se nervozizmi në Kosovë është shumë real dhe mendoj se ne duhet të bëjmë presion që administrimi ndërkombëtar në Kosovë të përmirësohet.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për politikën e Departamentit të Shtetit për Ballkanin dhe për Kosovën. A ka qenë ajo sa duhet e angazhuar në Ballkan apo vemendja është zhvendosur plotësisht nga Iraku?

Earl Pomeroy: Edhe përpara Irakut, mendoj se u bë e qartë se me ndryshimin e administratës, nga Presidenti Clinton tek Presidenti Bush, vemendja ndaj Kosovës dhe Ballkanit pësoi një ndryshim dramatik. Tani që administrata është mjaft e zënë me problemin e Irakut, kjo natyrisht që e ka ndryshuar vemendjen e saj. Por nga ana tjetër është e nevojshme që ne të vazhdojmë të luajmë rol udhëheqës dhe t’i kushtojmë vemendje Kosovës. Mendoj se një nga mësimet që duhet të nxjerrim nga dhuna e muajit mars, është se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion për të garantuar se do të bëhet përparim në politikën standardet përpara statusit që po ndjekim ne aktualisht. Një pjesë e mirë e nervozimit ndaj administratës së UNMIK-ut ka lidhje me faktin se gjërat nuk po marrin një rrugë të qartë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të duhet të tregohen tani më aktive dhe të vazhdojnë trysninë për të garantuar se do të arrihet përparim. Si anëtar i Kongresit, unë natyrisht do të përpiqem t’i bëj thirrje Departamentit të Shtit që ta luajë një rol të tillë.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit politikë të shqiptarëve kërkojnë me këmbëngulje pavarësinë. A mendoni se kjo është një kërkesë legjitime?

Earl Pomeroy: Unë jam për ecjen drejt statusit të vetqeverisjes për Kosovën. Unë jam vetëm një anëtar midis 435 ligjvënësve që ka Dhoma e Përfaqësuesve. Pikpamja ime nuk është domosdo pikpamja e Shteteve të Bashkuara. Por ajo është një pikpamje në të cilën unë besoj fuqimisht. Mendoj se rruga për arritjen e standardeve të caktuar që kanë të bëjnë me pajtimin, me përparimin në aftësitë vetqeverisëse, është një rrugë e arësyeshme për arritjen tek statusi i një Kosove vetqeverisëse. Prandaj ka shumë rëndësi që në këtë rrugë të bëhet përparim. Por në fund të fundit, për mua do të ishte e paimagjinueshme që Kosova të administrohej përsëri nga Beogradi.

Zëri i Amerikës: Ju përfaqësoni në Kongres Dakotën e Veriut. Ç’mund të na thoni për këtë shtet, çfarë ka ai të veçantë?

Earl Pomeroy: Unë jam krenar që përfaqësoj një pjesë me rëndësi të veçantë të Shteteve të Bashkuara - Dakotën e Veriut, një territor mjaft rural që merret me prodhim bujqësor. Nga të 50 shtetet e Amerikës, ne jemi midis atyre me popullatën më të vogël, rreth 630 mijë banorë. Por janë disa gjëra që lidhen me Dakotën e Veriut të cilat kanë ngjashmëri me Kosovën. Ne jemi një shtet gjeografikisht i largët, me popullsi të vogël por nga ana tjetër jemi një pjesë e rëndësishme e këtij vendi. Edhe Kosova është gjeografikisht e largët, nuk ka ndonjë popullsi shumë të madhe por është jashtëzakonisht e rëndësishme, qoftë nga pikpamja strategjike por edhe sepse njerëzit e saj kanë cilësi të veçanta.//ii

XS
SM
MD
LG