Lidhje

Kryeministri Nano ndryshon taktikën me kundërshtarët - 2004-05-14


Kryeministri Fatos Nano preferoi sot të shmangë etiketimet e forta ndaj kundërshtarëve të vet brenda radhëve të socialistëve, në ndryshim nga mbledhja e pak ditëve më parë e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues ku ai foli për pseudosocialistë kamikazë që abuzojnë me mandatin e marrë nga partia.

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i partisë socialiste u shpreh se përballë masave ndëshkuese ai do të preferonte bashkëpunimin: “Vullneti im dhe për fat të mirë edhe të institucioneve të PS është që ta nxisë mospërjashtimin si një ftesë të hapur për secilin nga përfaqësuesit tanë për bashkëveprim, reflektim dhe bashkëpunim ritmik në funksion të stabilitetit të mazhorancës qeverisëse dhe të vazhdimit të punës së saj dhe të institucioneve të krijuara nga mazhoranca për rritjen e ritmit të reformave për asocim në Be dh e në Nato.”

Megjithatë deklarimi i zotit Nano më shumë se një thirrje për bashkëpunim ngjau me një ftesë në këmbim të mosndëshkimit pasi nuk harroi të përmendte statutin i cili parashikon masave automatike. Prandaj zoti Nano shtoi se ai dhe shumica e partisë nuk kanë megjithatë asnjë fuqi për të ndaluar ata që duan të vetpërjashtohen apo të vrasin veten.

Megjithatë duket se dhe kundërshtarët e tij kanë gjetur mnyrën për tiu shmangur masave të statutit. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar ish kryeministri Ilir Meta tha se ishte i gatshëm të jepte votën pro ndaj gjithë vendimeve që do të merreshin, porse kjo nuk do të thoshte se ai do të heshtte dhe nuk do të shprehte lirisht mendimet e tij.

Ish kryeministri Meta e rinisi betejën e tij në parti në një moment kur ndaj kryeministrit Nano dhe qeverisë së tij u grumbulluan një seri kritikash nga disa organizma ndërkombëtarë dhe kur presioni i opozitës vazhdon të jetë i fortë. Nga ana e tij kryeministri Nano i cili po akuzohet për hapa të ngadalta dhe shkaktar i vonesave në procesin e integrimit europian, shpreson të rekuperojë në samitin e afërt të Natos që do të mbahet në qershor në Stamboll. Pjesmarrja në ceremoninë e zgjerimit të Natos organizuar nga presidenti Bush, rezoluta e kongresit amerikan për një anëtarësim brenda vitit 2007 pritet nga Tirana të pasohet me një ftesë zyrtare nga ana e Aleancës në takimin e Stambollit: “Po përpiqemi që ta konsolidojmë këtë certifikim dhe ta certifikojmë dhe në deklaratën politike apo dokumnetin final të samit it të stambollit ku nga të dhënat që kam si kryeministër do ketë një gjuhë të qartë për Shqipërinë dhe vendet e kartës së Adriatiku që do të harmonizoje politikën e dyerve të hapura me promovimin për kualifikim si grup i ardhshëm i zgjerimit të Natos të vendeve tona”.

Kryeministri Nano i bëri sot këto koment gjatë një konference për shtyp ku ai inauguroi mjediset e reja të krijuara për shtypin dhe publikun për te mundesuar një akses më të drejtpërdrejtë rreth aktivitetit të qeverisë shqiptare.

//rd//

XS
SM
MD
LG