Lidhje

Ministrat e jashtëm të Grupit të Tetëshes diskutojnë për Irakun - 2004-05-14


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha dje se forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Iraku në se një gjë e tillë kërkohet nga qeveria e përkohshme që do të marrë pushtetin më 1 korrik, megjithëse ai shtoi se një kërkesë e tillë ka shumë pak mundësi të bëhet. Sekretari Powell diskutoi lidhur me transferimin e sovranitetit në Irak me homologët e tij të vendeve të Grupit të Tetëshes dhe të Rusisë.

Takimi në departamentin e shtetit kishte për qëllim hartimin e planeve për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes, i cili do të kryesohet nga presidenti Bush muajin e ardhshëm në Sea Island të shtetit amerikan Georgia.

Megjithatë takimi i djeshëm u mbizotërua nga diskutimet mbi Irakun dhe në veçanti kushtet e transferimit të sovranitetit nga Autoriteti i Përkohshëm i koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara tek një qeveri e përkohshme irakiane deri në fund të qershorit.

Gjysma e vendeve të Grupit të Tetëshes janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shtetet e Bashkuara po kërkojnë miratimin e një rezolute të re, e cila do t’i jepte mbështetje politike qeverisë së përkohshme, që do të drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve në janar të vitit tjetër.

Franca dhe Rusia, që të dyja kritike të vendimit amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak vitin e kaluar, kërkojnë që qeveria e përkohshme irakiane të ketë pushtet të plotë, përfshirë edhe autoritetin për të përcaktuar mënyrën e përdorimit të forcave të koalicionit pas 30 qershorit.

Deri tani administrata e presidentit Bush nuk është shprehur qartë lidhur me këtë çështje, duke këmbëngulur se në bazë të rezolutave ekzistuese të Kombeve të Bashkuara forcat e koalicionit duhet të qëndrojnë në Irak të paktën deri në janar.

Por i ndodhur përballë pyetjeve të përsëritura të gazetarëve, pas përfundimit të takimit të Grupit të Tetëshes, sekretari Powell tha se qeveria e përkohshme irakiane do të ketë autoritetin që t’u japë urdhër forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkaura që të largohen nga Iraku.

“As që më shqetëson fare mendimi se po qe që irakianët na kërkojnë të largohemi nga vendi i tyre gjatë periudhës kalimtare, ndërkohë që ne po krijojmë forcat e tyre. Thjeshtë për t’ju siguruar që nuk i shmangem një pyetjeje hipotetike, ashtu siç veproj zakonisht, dhe që nuk krijoj konfuzion, në se qeveria e përkohshme irakiane na kërkon të largohemi nga Iraku, ne do të largohemi.”

Zoti Powell tha se forcat e koalicionit do të vazhdojnë të drejtohen nga një komandant amerikane, i cili do të ketë gjithashtu kontrollin përfundimtar ndaj forcave irakiane të sigurimit.

Sekretari Powell tha gjithashtu se do të krijohet një mekanizëm këshillues për t’u siguruar që qeveria e përkoshme është në dijeni të plotë të veprimeve të koalicionit dhe është e ndjeshme ndaj shqetësimeve të irakianëve.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm francez, Michel Barnier tha se qeveria e tij, ndërkohë që përjashton mundësinë për të dërguar trupa në Irak, është gati të mbështesë rindërtimin e Irakut dhe të punojë në mënyrë konstruktive për një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Barnier tha nëpërmjet përkthyesit se Franca do të këmbëngulë jo vetëm në kalimin e sovranitetit të vërtetë qeverisë së përkohshme irakiane, por edhe në kushtet konkrete të sovranitetit, përfshirë shkallën e autoritetit mbi forcat e sigurimit në mënyrë që legjitimiteti i saj të pranohet nga populli irakian.

“Ne duhet të sigurohemi që irakianët të kenë një farë autoriteti mbi forcat e tyre nga korriku i këtij viti deri në janar të vitit të ardhshëm. Duhet të arrihet një marrëveshje se si do të veprojë forca shumë kombëshe dhe ç’do të bëjë ajo. Mendoj se qeveria irakiane duhet të jetë në pozitë që të qeverisë dhe që të ndryshojë nga e kaluara.”

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Grupit të Tetëshes u takuan po dje më herët në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush, i cili u bëri thirrje vendeve të industrializuara që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e së kaluarës lidhur me luftën në Irak dhe të ndihmojnë në kalimin e qetë të pushtetit në atë vend.

Një zëdhënës i presidentit tha se zoti Bush këmbënguli se është në interesin e të gjitha vendeve anëtare të Grupit të Tetëshes që të bëjnë të gjitha përpjekjet për krijimin e një Iraku të lirë e paqësor, i cili, shtoi presidenti, do ta bëjë botën më të sigurtë dhe më të mirë.

//ze//

XS
SM
MD
LG