Lidhje

Lufta kundër Sidës - 2004-05-15


Plani emergjent i presidentit George Bush për ndihmë kundër Sidës tregon se në fakt Sida në botë është një çështje emergjente. Të dhënat tregojnë se rreth 40 milionë njerëz në botë janë të infektuar nga virusi HIV, i cili shkakton sëmundjen e Sidës. Çdo ditë, rreth 8 mijë njerëz në botë vdesin nga kjo sëmundje.

Epidemia është sidomos e përhapur në Afrikën nën-Sahariane. Në Botstvana, gati 40 përqind e popullatës madhore janë të infektuar me virusin HIV.

Qeveria amerikane është duke bërë diçka të re në Afrikë. Përveç parandalimit të përhapjes së Sidës dhe kujdesit për personat e prekur nga kjo sëmundje, Shtetet e Bashkuara po furnizojnë me ilaçe edhe ata që janë të infektuar me virusin HIV. Ndërsa këto ilaçe jetëshpëtuese janë standarte në Shtetet e Bashkuara, në Afrikë ato po bëhen gjithnjë e më të disponueshme, falë Planit Emergjent të presidentit Bush.

Ambasadori Randall Tobias, bashkrendues i problemeve të Sidës pranë departamentit të shtetit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 350 milionë dollarë për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe virusin HIV, që e shkakton atë.

“Nga fondet e parë të ndihmave, 50 mijë njerëz të tjerë, që jetojnë me Sidë ose me HIV në Afrikën nën-Sahariane, po marrin ilaçet përkatëse. Sot janë miratuar planet për dërgimin e ilaçeve në Kenia, Nigeri dhe Zambia, ndërsa pacientët janë duke marrë kura në Afrikën e Jugut dhe në Ugandë. E gjithë kjo punë është bërë e mundshme nga Plani Emergjent.”

Por ky është vetëm fillimi. Një shumë prej 500 milionë dollarësh ndihmë nga Shtetet e Bashkuara do të vihet në dispozicion gjatë javëve të ardhshme dhe fondet do të vazhdojnë të dërgohen për muaj dhe vite me radhë. Shtetet e Bashkuara janë vënë në krye të komunitetit ndërkombëtar për t’iu përgjigjur nevojave emergjente të Sidës nëpër botë. Shtetet e Bashkuara mendojnë se për sa i përket kësaj çështjeje emergjente nuk duhet humbur aspak kohë. //IB

XS
SM
MD
LG