Lidhje

Sekretari Powell bën thirrje për bashkëpunim më të madh për Irakun dhe konfliktin izraelito-palestinez - 2004-05-15


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell bëri thirrje për bashkëpunim më të madh drejtë një qëndrimi të përbashkët ndaj Irakut dhe konfliktit izraelito-palestinez. Sekretari Powell i bëri këto komente gjatë një fjalimi që mbajti në Forumin Ekonomik Botëror në Jordani.

Çështjet, rreth të cilave foli sekretari Powell, pritej të mjegullonin këtë takim të udhëheqësve politikë dhe të biznesit nga mbarë bota në vendpushimin e Detit të Vdekur të Jordanisë. Ato ishin pikërisht shtimi i dhunës dhe paqëndrueshmërisë në Irak dhe konfliti izraelito-palestinez.

Sekretari Powell pranoi se përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez nuk kanë sjellë asnjë rezultat dhe se plani i quajtur ndryshe Harta Rrugore, i përkrahur nga komuniteti ndërkombëtar, ka ngecur por siç, tha ai, ka nevojë që të fillohet sërish.

Zoti Powell tha se plani i kryeministrit izraelit Ariel Sharon për një tërheqje të njëanshme ofron pikërisht këtë fillim dhe mbrojti përkrahjen nga ana e presidentit Bush për këtë plan.

“Arsyeja që presidenti mbështeti planin ishte e thjeshtë. Procesi nuk po lëvizte, ne nuk po bënim asnjë përparim. Kryeministri Sharon doli me një mundësi të re, me eliminimin e vendbanimeve në rripin e Gazës dhe nisjen e eliminimit të vendbanimeve në Bregun Perendimor. Ishte një rast të cilin ne menduam se duhej ta shfrytëzonim sepse për herë të parë ne po shihnim largimin e vendbanimeve dhe jo shtimin e tyre.”

Zoti Powell mbrojti gjithashtu pranimin nga ana e presidentit Bush të disa realiteteve të reja, i cili u kuptua si përkrahje e tij ndaj mbajtjes nga Izraeli të disa rajoneve palestineze. Ky qëndrim u kritikua shumë gjerësisht në rajon.

Sekretari i shtetit Powell tha se presidenti Bush morri një vendim të prerë dhe që ngjalli debate për të vënë procesin e paqes përëri në lëvizje. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për krijimin e një shteti palestinez dhe për një zgjedhje përfundimtare nëpërmjet negociatave të konfliktit izraelito-palestinez, në përputhje me rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.

Para se të shkonte në Forumin Ekonomik Botëror, sekretari Powell u takua në Aman me kryeministrin palestinez Ahmed Qureia dhe i kërkoi atij që të shfrytëzonte momentin për një tërheqje të Izraelit nga Rripi i Gazës si një hap pozitiv, që mund të ndihmojë drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez, siç parashikohet në Planin e paqes Harta Rrugore.

Zoti Powell bëri gjithashtu thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë botëror në Irak. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara Lakdar Brahimi, i cili po përpiqet për të formuar një qeveri të përkohshme irakiane, që do të marrë kontrollin nga Shtetet e Bashkuara në fund të qershorit.

“Ne po kërkojmë udhëheqës, që do të respektohen dhe do të pranohen nga populli irakian. Duhet të jeni të sigurtë se kur të gjenden këta njerëz dhe kur ambasadori Brahimi t’ia paraqesë rekomandimet e tij Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara do të jenë aty krahas kolegëve tanë në Këshillin e Sigurimit të gatshme për të përkrahur punën e ambasador Brahimit.”

Zoti Powell tha se ka besim të plotë se qeveria e re irakiane do të kërkojë nga Shtetet e Bashkura të qëndrojnë për të ruajtur sigurinë në Irak. Ai foli hapur për fotografitë, në të cilat ushtarët amerikanë shihen duke keqtrajtuar dhe poshtëruar të burgosurit irakianë në burgun Abu Graib në periferi të Bagdadit.

“Ajo që pashë unë dhe që patë ju në ato fotografi me ka shokuar, ka shokuar të gjithë amerikanët. Ne jemi në një gjendje mosbesimi kur pamë se ç’kishin bërë djemtë dhe vajzat tona. Këto fotografi nuk ishin aspak në përputhje me atë që presim ne nga ushtria, as edhe me vlerat që na karakterizojnë si komb. Ne u tronditëm shumë sepse e dinim se si do të ndikonin këto fotografi në rajon. E dinim se njerëzit në rajon do të shikonin fotografitë dhe do të thoshin: a është kjo Amerika në të cilën ne besonim, a është kjo Amerika, vlerat e të cilës i kemi admiruar për kaq vite?

Sekretari Powell tha se lidhur me abuzimet do të merren masat e duhura. Ai tha gjithashtu se ato nuk duhet të bëhen shkak që vemendja të largohet nga objektivi që Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG