Lidhje

Anjeza Shahini: Suksesi nuk më ka ndryshuar - 2004-05-16


Pjesëmarrja e Shqipërisë për herë të parë në festivalin evropian të këngës dhe paraqitja dinjitoze e Anjeza Shahinit, u kthyen në një festë kombëtare për shqiptarët kudo në botë. Shqipëria gjeti kështu një dritare përmes artit që të afrohet më shumë me Evropën. Anjeza Shahini, u radhit dje e shtata mes 24 konkurrentëve të natës finale të ngjarjes më të rëndësishme të këngës që u ndoq nga dhjetra miliona njerëz në gjithë globin. Vendin e parë në festival e zuri këngëtarja ukrainase Ruslana me këngën “Wild Dancers”. Dy përfaqësues të tjerë nga Ballkani, Serbia dhe Mali i Zi dhe Greqia zunë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë. Anjeza ishte fituesja e festivalit kombëtar në dhjetor të vitit 2003 dhe u kthye menjëherë në të dashurën e publikut shqiptar. Kënga e saj “Imazhi yt” është kompozuar nga Edmond Zhulali dhe teksti është shkruar nga Agim Doçi. Anjeza dha të dielën një intervistë për Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Anjeza, a mund të na përshkruash pak emocionet gjatë pjesëmarrjes në festival dhe si ndjehesh tani që mbaroi festivali?

Anjeza Shahini: Emocionet kanë qenë të shumta dhe të mëdha, të cilat u ndanë midis njëri tjetrit dhe pak a shumë u zbutën duke ia ndarë njëri-tjetrit. Ky festival na ka dhënë shumë emocione, ndërkohë edhe shumë zemër na ka dhënë publiku në skenë, të cilët mbanin flamuj shqiptarë, qoftë të huaj edhe vetë shqiptarët. Jemi ndjerë shumë, shumë mirë.

Zëri i Amerikës: Po me të vërtetë ishte diçka e madhe. Por çfarë ndjesie të krijon fakti që ti ishe fytyra e Shqipërisë në këtë ngjarje të rëndësishme evropiane dhe artistja që i hape rrugën vendit tënd për të marrë pjesë në këtë festival prestigjioz?

Anjeza Shahini: Është e vërtetë. Në fakt ishte një përgjegjësi shumë e madhe, për të cilën shpesh herë i thoja vetes që “a ke bërë mirë që e ke marrë në dorë”. Deri në momentin që kemi ardhur këtu kemi patur paksa frikë, por në momentin që na kanë pritur shumë, shumë mirë dhe e kanë pëlqyer si të thuash kulturën shqiptare, kanë thënë vërtet që duke filluar që nga muzika etj, kjo na ka bërë të ndjehemi shumë mirë, aq më tepër që hyrja në finale, apo në dhjetëshe dhe në vendin e shtatë, kjo bëri akoma më tepër që ajo përgjegjësi që kishim, pak a shumë të zbutej dhe më në fund ta kalonim.

Zëri i Amerikës: Rezultati tregon në fakt që ti vërtet bëre shumë mirë që shkove në festival. Ti tani je bërë e njohur për vendin tënd, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo dhe suksesi yt u ngjan pak a shumë përrallave. Ty të duket se ke ndryshuar?

Anjeza Shahini: Është e vërtetë që është bërë një ndryshim shumë i shpejtë për mua, megjithatë përsa i përket ndryshimit tim si personalitet, mendoj se jam po e njëjta vetëm se ndryshon rrjedhoja e ditës, gjërat që ndodhin, planet janë më të shumta, angazhimet janë më ndryshe. Këto janë ndryshime normale për çdo njeri.

Zëri i Amerikës: Meqë fole për plane, a pate oferta gjatë ditëve të festivalit, gjatë kontakteve të tua atje për aktivitete të tjera evropiane, pra jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë, ose për bashkëpunim të ardhshëm me shtëpi diskografike, ose kompani të njohura muzikore?

Anjeza Shahini: Të them të vërtetën ka patur një fluks të madh njerëzish, të cilët na uronin, pse jo edhe na ofronin dhe ne me tensionin e madh të festivalit nuk dimë se çfarë përgjigjesh kemi dhënë, por mund të them që kemi mbajtur kontakte me të gjithë pjesëtarët e festivalit evropian, me të gjithë ata që kanë qenë prezent pranë nesh dhe kemi këmbyer numrat e telefonave dhe adresat e e-maileve, gjë që mund të mundësojë gjëra për më vonë.

Zëri i Amerikës: Atje kishte edhe një këngëtar tjetër me origjinë shqiptare. Mund të na thuash diçka më shumë për të dhe për faktin që shumë këngëtarë nga vendet e Ballkanit morën pjesë dhe madje morën edhe vende të para në këtë festival?

Anjeza Shahini: Po, është e vërtetë dhe unë jam ndjerë shumë mirë që kanë qenë pikërisht këto vende që kanë dalë në finale dhe më pas edhe u pozicionuan në vendet e para. Përsa i përket djalit nga Bosnje-Hercegovina, edhe unë më tepër e kam marrë vesh nga të tjerët që ka qenë me origjinë shqiptare. Më erdhi shumë mirë në fakt. Ne patëm kontakte me ta. Edhe ata kishin dëshirë që ne të kishim pikë sa më shumë dhe ne gjithashtu për ata.

Zëri i Amerikës: Cilat janë planet e tua për të ardhmen në studime dhe karrierë se ti je edhe në shkollë, apo jo?

Anjeza Shahini: Në fakt më duhet të shkoj patjetër së shpejti në Shqipëri, të kap pak ato kohë që më kanë mbetur për shkollën, sepse unë jam akoma në vit të tretë në gjimnaz. Megjithatë do të mbaroj njëherë gjimnazin dhe më pas do të shohim.

XS
SM
MD
LG