Lidhje

SHBA: skandali me të burgosurit irakianë dhe gjykatat ushtarake - 2004-05-16


Katër ushtarë amerikanë do të dalin para gjyqit ushtarak në lidhje me abuzimin e të burgosurve irakianë në burgun Abu Graib pranë Bagdadit. Edhe disa amerikanë të tjerë janë akuzuar lidhur me këtë skandal. Gjyqi i parë i ushtarakut Jeremy Sivits do të fillojë më 19 maj. Në materialin e mëposhtëm i hidhet një vështrim procesit të gjykimit ushtarak dhe se si ndryshon ai nga drejtësia civile në Shtetet e Bashkuara.

Jeremy Sivits, një polic ushtarak, që shërbente si roje burgu, përballet me atë që njihet si gjyqi i posaçëm ushtarak, proces ky në ushtri i barabartë me një gjyq civil për sjellje të papërshtatshme. Ushtaraku Sivits mendohet të ketë bërë fotografitë, që u publikuan kohët e fundit, rreth abuzimit të të burgosurve irakianë në burgun Abu Graib.

Në se shpallet fajtor, ai do të përballet me një dënim maksimal me 1 vit burg. Tre ushtarët e tjerë përballen me gjyqin e zakonshëm ushtarak për akuza më serioze. Pesë akuzat e ngritura kundër reshterit Javal Davis përfshijnë konspiracion për keqtrajtimin e vartësve, mos kryerje të detyrës dhe keqtrajtim të të burgosurve. Pesë akuzat kundër ushtarakut tjetër Ivan Chip Frederick përfshijnë sulmim dhe shkelje për kryerjen e një akti të papërshtatshëm, duke parë të burgosurit në akte seksuale. Akuzat kundër ushtarit tjetër Charles Graner përfshijnë keqtrajtim, sulmim, dështim për të mbrojtur të burgosurit dhe angazhim në akte të papërshtatshme si dhe marrëdhënie jashtëmartesore.

Sistemi i drejtësisë në ushtrinë amerikane, në bazë të të cilit do të gjykohen 4 ushtarakët e lartpërmendur, u krijua nga kongresi para më shumë se 50 vjetësh. Dave Larson, ish gjykatës në sistemin e apelit në marinën amerikane, shpjegon ndryshimin midis sistemit ushtarak dhe atij civil të drejtësisë.

“Një prej ndryshimeve më të mëdha midis sistemit ushtarak dhe atij civil të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara është se në sistemin ushtarak nuk ekziston e drejta e gjyqit me juri. Punën e jurisë e bën një komision anëtarësh, zakonisht ushtarakë, megjithëse i akuzuari në se është i mobilizuar mund të kërkojë që deri një treta e anëtarëve të jenë forca të mobilizuara.”

Zoti Larson shton se i akuzuari gëzon të drejtën e avokatit dhe prokuroria duhet të provojë matanë çdo dyshimi se i akuzuari është fajtor për çdo akuzë të ngritur kundër tij.

“Sistemi ushtarak i drejtësisë përmban të drejta të ndryshme për të akuzuarin. Ky sistem përcakton procesin e gjykimit, në të cilin prokuroria paraqet e para provat, ashtu siç ndodh në një gjyq kriminal në sistemin civil. Madje pala mbrojtëse ka të drejtë t’u kundërpërgjigjet provave ose t’u bëjë atyre sfidë dhe pastaj të paraqesë provat e saj.”

Ish gjykatësi i marinës amerikane Larson thotë gjithashtu se një gjyq ushtarak mund ta çmobilizojë nga shërbimi një ushtar, që gjehet fajtor. Tom Morrison, admiral në pension i marinës amerikane, i cili tani jep mësim në fakultetin juridik të Universitetit George Washington, përshkruan një ndryshim tjetër midis gjyqit ushtarak dhe atij civil.

“Në ushtri ndryshe nga gjyqet civile, të gjitha gjyqet ushtarake apelohen automatikisht. I akuzuari nuk ka nevojë të kërkojë apelimin e vendimit. Në se një person gjehet fajtor në një gjyq ushtarak, për të ekziston automatikisht një proces apelimi.”

Në se dënimi mbështetet gjatë procesit të apelimit, mundësitë e dënimit përfshijnë ulje të rrogës, çmobilizim, burgim ose edhe dënim vdekje. Dënimet makzimale janë përcaktuar nga kongresi amerikan në Kodin Uniform të Ushtrisë Amerikane. Ndryshe nga gjyqet civile, ku një person mund të dënohet nën akuza të veçanta për të cilat gjehet fajtor, gjyqi ushtarak jep vetëm një dënim të përgjithshëm. Zoti Morrison thotë se sistemi ushtarak i drejtësisë ka funksionuar gjithnjë mirë.

“Mendoj se publiku si këtu në Shtetet e Bashkuara edhe nëpër botë do të shikojë se sistemi ushtarak i drejtësisë ka për qëllim të bëjë një hetim të rrënjësishëm, t’ia paraqesë atë një gjyqi asnjanës dhe pastaj mund të marrë një vendim ose të japë një dënim. Mendoj se publiku do të mendojë se gjyqi ushtarak është shumë, shumë i drejtë.”

Zoti Larson thotë se çdo anshmëri ose përpjekje për të ndikuar anëtarët e jurisë nuk tolerohet, diçka që do të jetë veçanërisht e rëndësishme në gjyqet e ardhshme rreth abuzimit të të burgosurve irakianë.

“Është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi i publikut në Shtetet e Bashkuara dhe në botë që gjyqet të jenë të drejta dhe që i gjithë procesi mbron të drejtat e të akuzuarve dhe siguron që në se i akuzuari dënohet, ai dënohet në mënyrë të drejtë.”

Sistemi ushtarak i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara do të vihet në provë duke filluar nga 19 maji kur në Bagdad të fillojë gjyqi i parë ushtarak për abuzimin e irakianëve në burgun Abu Graib. Ushtria amerikane ka premtuar se gjyqi do të jetë i hapur për publikun.//ii

XS
SM
MD
LG