Lidhje

Kërcënimi terrorist dhe sfidat për kundërzbulimin - 2004-05-16


Kërcënimi në rritje i terrorizmit paraqet sfida të ndryshme për mbledhjen e informacionit të zbulimit nga ato që ndesheshin gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Tre ish drejtorë të CIA-s u takuan kohët e fundit në New York dhe bënë thirrje që agjencia të ndryshojë në mënyrë që të përballojë kërcënimet.

Presidenti Truman e krijoi agjencinë në vitin 1947 për t’u mbrojtur nga sulme të papritura si goditja japoneze në Pearl Harbor.

Ish-shefi CIA-s James Woolsey thotë se gjatë Luftës së Ftohtë, zbulimi ishte më i suksesshëm sepse kishte informatorë të motivuar, që donin që regjimi sovjetik të merrte fund. Por tani, thotë ai, kohërat kanë ndryshuar dhe nuk mund të pritet që CIA të mbrojë e vetme vendin ashtu siç bënte më parë.

“Në këtë botë të re, megjithëse zbulimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka gjëra që sigurisht mund t’i bënim më mirë dhe duhet t’i bëjmë më mirë, nuk duhet të presim të njëjtat gjëra nga kjo agjenci, veçanërisht për të na dhënë paralajmërime taktike, gjë të cilën ne e prisnim ta bënte zbulimi gjatë Luftës së Ftohtë”.

Zoti Woolsey që drejtoi CIA-n nga viti 1993 deri në vitin 1995, gjatë admnistratës së presidentit Clinton thotë se është pothuajse e pamundur të parandalohet terrorizmi për shkak të natyrës së tij të fshehtë. Por ai shton se CIA mund t’u përshtatet rrethanave të reja, si edhe kërkesat ndaj zbulimit.

Zoti Woolsey thotë se CIA-s i duhen më shumë agjentë që flasin arabisht dhe persisht dhe se kjo agjenci duhet të përqendrohet më shumë tek çrrënjosja e organizatave islamike që mbledhin fonde në Shtetet e Bashkuara.

Të tjerë besojnë se kërcënimi i ri që paraqet terrorizmi për sigurinë kombëtare e justifikon krijimin e një agjencie të veçantë, përveç FBI-së dhe CIA-s për të mbikqyrur çështje të sigurisë së brendshme.

Stansfield Turner që ka drejtuar CIA-n nga viti 1977 deri në vitin 1981, mendon se një agjenci e tillë është e nevojshme.

Muajt e fundit, drejtori aktual i CIA-s, George Tenet, është kritikuar shumë sepse agjencia e tij kishte thënë që kishte “prova bindëse” se udhëheqësi i Irakut Saddam Hussein kishte armë të shkatërrimit në masë, por në atje ende nuk janë gjetur armë të tilla.

Para luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, administrata e Presidentit Bush e mbështeti ndërhyrjen duke thënë se Iraku përbënte një rrezik urgjent. Më pas, ka patur akuza, të mohuara nga administrata, sipas së cilave zyrtarët e zbulimit ishin nxitur për ta transformuar infornmacionin në mënyrë që të justifikonte thirrjet për luftë.

Zoti Turner thotë se presioni politik e dëmton shumë punën e CIA-s.

“Mendoj se problemi më i madh për zbulimin sot është drejtimi politik nga Shtëpia e Bardhë dhe nëse do të isha në vend të George Tenetit, nuk e di se ç’do të bëja përveçse të jepja dorëheqjen”.

CIA dhe FBI-ja janë kritikuar sepse nuk kanë bashkëpunuar më shumë para 11 shtatorit. William Webster që i ka drejtuar të dyja agjencitë thotë se ato kanë bërë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar më mirë që nga 11 shtatori dhe beson se pengesa kryesore për zbulimin sot ka të bëjë thjesht me paisje të vjetëruara.

Tre ish-drejtorët e CIA-s u takuan në New York në kuadër të një tubimi të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë private kërkimore. Megjithëse, ngandonjëherë ata nuk janë të një mendjeje lidhur me drejtimin që duhet të marrë agjencia, ish-drejtorët e CIA-s bien dakord se zbulimi po hyn në një fazë të re dhe duhet të transformohet për t’u bërë ballë sfidave.//ii

XS
SM
MD
LG