Lidhje

Kongresi amerikan dënon veprimtarinë e Iranit në fushën bërthamore - 2004-05-18


Kongresi amerikan miratoi me shumicë dërrmuese votash propozimin për të dënuar Iranin në lidhje me veprimtaritë e tij të fshehta në fushën bërthamore. Me 376 vota në favor dhe tri kundër, Dhoma e Përfqësuesve miratoi një rezolutë pa fuqi ligjore, në të cilën shprehet shqetësimi i Kongresit lidhur me veprimtaritë e Iranit për të zhvilluar aftësitë dhe mjetet për prodhimin e armëve bërthamore.

Në rezolutë vihet në dukje se Irani vazhdon të mashtrojë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe komunitetin ndërkombëtar dhe theksohet se është plotësisht e qartë që Irani mbetet i angazhuar për të zhvilluar programin e tij të armëve bërthamore.

Në rezolutë kërkohet që Irani të ndalojë menjëherë dhe përgjithmonë përpjekjet për të siguruar aftësitë për përpunimin e lëndëve djegëse bërthamore dhe të ndalojë veprimtaritë në procesin e pasurimit të materialeve bërthamore. Në të u bëhet thirrje të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Traktatin për Mosapërhapjen e Armëve Brëthamore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që të përdorin të gjitha masat e përshtatshme për të mos lejuar që Irani të sigurojë armë të tilla.

Presidenti Bush ka thënë se bota nuk mund të tolerojë një Iran të pajisur me armë bërthamore. Deputeti Tom Lantosh i Kalifornisë tha se Kongresi amerikan ka të njëjtën pikëpamje: “Ka shumë rëndësi, theksoi deputeti Lantosh, që autoritetet iraniane dhe të gjitha vendet e ndërlikuara në këtë çështje ta kuptojnë se administrata dhe Kongresi amerikan qendrojnë së bashku në vendosmërinë tonë për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit.

Zoti Lantosh tha se ekziston një mënyrë e logjikshme për zgjidhjen e këtij problemi: “Në thelb, theksoi deputeti Lantosh, është formula që përdori Libia. Libia po zhvillonte armë të shkatërrimit në masë dhe Kolonel Gadafi e kuptoi se ajo ishte kundër interesave të vetë Libisë. Kështu që ai vendosi të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Ne shpresojmë se autoritetet iraniane do të bëjnë të njëjtën gjë dhe ta kuptojnë se zhvillimi i armëve bërthamore nuk është i pranueshëm dhe as i leverdisshëm dhe do të heqin dorë nga ato ambicje.”

Në rezolutën e miratuar nga Kongresi amerikan i bëhet thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike t’i raportojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së sa më shpejt që të jetë e mundur se Irani nuk po vepron në përputhje me marrëveshjet që ka arritur me agjencinë. Bordi i Agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore mblidhet përsëri në qershor për të shqyrtuar rastin e Iranit.

XS
SM
MD
LG