Lidhje

Evropa Lindore dhe Bashkimi Evropian - 2004-05-18


Shumë prej vendeve të Evropën Lindore që hynë në Bashkimin Evropian në fillim të këtij muaji do të donin të ndiqnin shembullin e Irlandës, se si ky vend doli nga varfëria dhe u bë një vend i begatë pasi hyri në Bashkimin Evropian 30 vjet më parë. Veçanërisht vendet balltike, besojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me Irlandën dhe mund të ndjekin me sukses shembullin e saj. Por siç njofton korrespondenti ynë Roger Wilkison nga Brukseli, ekzistojnë gjithashtu ndryshime mes Irlandës dhe vendeve të reja anëtare të Bashkimit Evropian që do ta bënin më të vështirë për antëarët e rinj të Bashkimit të kapnin nivelin e suksesit të Irlandës.

Kur Irlanda hyri në Bashkimin Evropian në vitin 1973, të ardhurat për frymë të popullsisë ishin 62 përqind të të ardhurave mesatare të Bashkimit Evropian, ndërsa në vitin 2002 ato kishin mbërritur 121 përqind të mesatares së BE-së.

Ashtu si Irlanda, vedet balltike u dominuan për shekuj me radhë nga një fqinj i madh kolonialist. Ashtu si Irlanda 30 vjet më parë, ato janë më të varfëra se sa shumica e vendeve të tjera të Bashkimit, kanë më pak burime natyrore dhe e shikojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një rrugë drejt subvencioneve dhe suksesit.

Darius Semaska, këshilltar për politikën e jashtme i Kryeministrit të Lituanisë, thotë se vendi i tij, që ka një popullatë pothuajse të barabartë me atë të Irlandës, i ka kushtet për të ndjekur shembullin e Irlandës.

”Praktikisht ne vëmë re se ndoshta kemi filluar nga një pozitë edhe më e mirë se sa ajo e Irlandës në vitet 70-të dhe ne mund ta ndjekim dhe përsërisim atë fenomen.” Irlandës iu deshën rreth 20 vjet anëtarësi në Bashkimin Evropian për të kapërcyer papunësinë, emigrimin në masë dhe borxhin e lartë të shtetit. Ekonomistja irlandeze, Margaret Doyle thotë se çelësi për rritjen ekonomike të vendeve të vogla si vendi i saj është tërheqja e korporatave të huaja shumëkombëshe duke ulur taksat.

”Irlanda shfrytëzoi sipërfaqen e saj për të zbatuar disa politika me të vërtetë agresive. Për një farë kohe takat ishin në nivelin 10 përqind të prodhimit. Tani ato janë shumë të ulta, 12,5 përqind e taksës standarde të korporatave.”

Duke shkurtuar taksat dhe duke zvogëluar pjesën e shtetit në ekonomi, irlandezët krijuan kushte për të hyrë në tregun e Bashkimit Evropian dhe ikurajuan njëkohësisht një valë të fuqishme investimesh të huaja. Në vitin 1998 firmat shumëkombëshe amerikane përbënin 70 përqind të eksporteve të Irlandës. Ky vend që dikur ishte eksportues i forcës punëtore tani merr punëtorë nga vendet e Evropës Lindore dhe Jugore.

Shembulli i Irlandës mund të zbatohet në vende të tilla si Lituania dhe Sllovakia që kanë vendosur nivele të ulta taksash dhe ofrojnë kushte tërheqëse për investitorët.

Megjithatë, siç thekson Gail McElory, professor i shkencave politike në Kolegjin Trinity të Dublinit, Irlanda ka disa karakteristika që nuk ekzistojnë në vendet e Evropës Lindore.

”Pavarësisht nga optimizmi i shumë vendeve të Evropën Lindore dhe dëshirës së tyre të sinqertë për të përqafuar modelin irlandez, ka gjëra që janë karakteristika të veçanta të Irlandës, gjë që do të thotë se ky model mund të mos jetë aq i sukseshëm në disa prej vendeve të Evropës Lindore. Irlanda është një vend anglisht-folës, historikisht ka patur dhe ka lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, nga ku kanë ardhur edhe pjesa më e madhe e investimeve të huaja. Irlanda ka gjithashtu një qeveri të vogël dhe nuk ka një sistem të gjerë të ndihmës sociale krahasur me shumë vende të Evropës Lindore. ”

Irlanda ka përfitur gjithashtu nga një sistem i qendrueshëm politik që ka nxjerrë udhëheqës me një platformë të përbashkët për përfitimet e vendit nga anëtarësia në Bashkimin Evropian. Shumë vende të Evropës Lindore kanë vuajtur nga ndryshimet e vazhdueshme të qeverisë dhe ende u mungon qëndrueshmëria politike. Një problem tjetër është edhe prirja e vendeve të Evropës Lindore për të ngritur me shpejtësi standardin e tyre.

Në qoftë se ka ndonjë element të modelit irlandez që mund t’i përshtatet anëtarëve të rinj të Bashkimit Evropian është se pjesëmarrja në këtë entitet e ndihmoi Irlandën për të krijuar vetbesimin e saj kombëtar, siç shprehet një diplomat irlandez. Ai thotë se integrimi i vendit të tij në një entitet kulturash të ndryshme si Bashkimi Evropian, forcoi sensin e saj të identitetit kombëtar dhe nxiti shpirtin e saj të suksesit.//ii

XS
SM
MD
LG