Lidhje

Kur jetesa sigurohet duke shitur pjesët e trupit - 2004-05-19


Për një numër të madh njerëzish, të fitosh sa më shumë para është një luftë e përditshme. Por disa njerëz i sigurojnë paratë duke shitur pjesët e tyre të trupit. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim botës së shitjes së organeve njerëzore, shkencës që bën të mundur transplantimin e tyre dhe disa prej njerëzve që sigurojnë fitime nga kjo tregëti.

Rreth një milionë pacientë në të gjithë botën presin me dëshpërim të sigurojnë një veshkë, edhe në se për ta blerë atë, mund të shkelet ligji. Shtrohet pyetja: nëse dikush del vullnetar për të dhuruar veshkën, përse të mos e shesë atë?

Ky është spitali i Baltimorës. Mjekët po nxitojnë të operojnë 18-vjeçaren Katie Schouster. Veshka që do t’i transplantohet Katie-t është e dhuruar. Por, në disa vende të botës, pacientët mund të blejnë organe në tregun e zi. Shumica e vendeve të botës e kanë të ndaluar me ligj tregëtinë e organeve.

Por në kushtet kur një numër i madh njerëzish rrezikojnë të vdesin nga nevoja për një veshkë të shëndoshë, tregu i zi i veshkave mund t’ua sigurojë atë për dhjetra mijëra dollarë. Një person madje, u përpoq ta shesë veshkën nëpërmjet faqes së njohur kompjuterike E-Bay, ku tregëtohen me ankand objekte të ndryshme.

Çmimi i parë i ofruar ishte 25 mijë dollarë. Brenda vetëm 8 ditësh, pacientë të dëshpëruar, në kërkim të një veshke të shëndoshë, e çuan çmimin në miliona dollarë, deri sa kompania e bllokoi shitjen.

Kërkesa për organe shpeshherë plotësohet me lehtësi në vende si India, Brazili dhe Filipinet. Doktor Sunil Shroff, kirurg që merret me transplantimin e organeve në Indinë Jugore është kundërshtar i ashpër i shitjes së tyre. Kur fillon lojën e kompensimit, nuk ka më kthim prapa. Në atë moment organi shndërrohet në mall. Po e lejove përbindëshin të dalë nga shishja, mund të ndodhemi në një situatë tepër të rrezikshme. Trafikimi ndërkombëtar i organeve është një tregëti tepër e frikshme, thotë doktor Shroff.

India e ndaloi zyrtarisht me ligj shitjen e organeve në vitin 1994. Por kjo nuk i ka dhënë fund kësaj praktike, sidomos në radhët e banorëve të lagjeve të varfëra. Shumica e indianëve e sigurojnë jetesën duke punuar me mëditje. Shitja e një organi mund t’u sigurojë atyre një shumë të barabartë me rrogën e dy vjetëve. Një tregëtar organesh zakonisht shkon ta gjuajë mallin në një fshat të varfër si ky.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se tregëtarët e organeve zakonisht i shfrytëzojnë njerëzit që shesin veshka. Ai që blen veshkën për transplantim mund të paguajë me mijëra dollarë, ndërkohë që dhuruesit i jepen vetëm disa qindra.

Tregtia e veshkave është një punë delikate, ngaqë çdo operacion transplantimi në Indi duhet të autorizohet nga një komitet qeveritar. Është e qartë se tregëtari përpiqet t’i fshehë mirë veprimet e tij.

“Unë nuk merrem me tregëtinë e organeve. Me që i ndihmoj, ata më paguajnë, por unë ja jap paratë familjes, dhe u them atyre se mua më intereson që njerëzit që kanë nevojë të shërohen”.

Ai thotë se nuk merr para për këtë që bën, por kjo nuk duket e besueshme. Jam baba me fëmijë, më duhet ta mbroj veten, prandaj e mbuloj fytyrën”, thotë tregëtari.

Po të kapet, atë e arrestojnë dhe ndaj tij ngrihen akuza, njëlloj si për vrasje. Por çfarë do ta detyronte një njeri të rrezikonte për një operacion të paligjshëm? Pas një qendrimi prej disa ditësh në lagjet e varfëra, njerëzit më në fund filluan të flasin hapur.

Vijay dhe i shoqi Vasanth jetojnë me dy fëmijët e tyre në një dhomë të vogël. Burrë e grua e kanë shitur nga një veshkë për të mbajtur familjen.

Vijaji thotë se e ka shitur veshkën për 800 dollarë 5 vjet e gjysëm më parë, për arsye se ajo dhe shoqi kishin hyrë në borxhe. Paratë i përdorën për larjen e borxheve dhe për të blerë me këste një makinë, që i shoqi e përdorte si taksi. Por nuk mundën t’i paguajnë të gjitha këstet, prandaj shumë shpejt e humbën makinën. Dhe përsëri, ata mbetën si në fillim: të varfër dhe me borxhe. Edhe Vasanth e ka shitur veshkën 15 vjet më parë.

Në lagjet e varfëra të Indisë mund të takosh shumë njerëz me histori të ngjashme. Doktor K.C. Reddy kryen operacione transplantimi. Ai është i mendimit se shitja e organeve duhet të ligjërohet. “A është më mirë të zbatosh ligjin, apo të vdesësh? Midis këtyre dy zgjedhjeve që ka një njeri, cila është më e mira? Varfëria është shkaktare e të gjithave. Një të pasuri nuk i duhet të blejë veshkë. Por të varfërit i duhet të shesë organet, ngaqë ndodhet në mjerim. Për mua problemi fillon kur shitja bëhet me ndërmjetës. Në këtë rast kemi të bëjmë me shfrytëzim”, thotë mjeku.

Në Indi, ashtu sikurse edhe në vende të tjera, kërkesës për organe nuk duket se do t’i vijë fundi. Çdo vit, 100 mijë njerëz kanë nevojë për transplantim veshke.

Duket se numri i atyre që duan t’i shesin organet për para nuk po pakësohet. Edhe në vendet perëndimore janë bërë thirrje për rishikimin e ligjit që ndalon shitjen e organeve, duke i kompensuar dhuruesit e organeve. Debati për këtë çështje vazhdon.//kk//

XS
SM
MD
LG