Lidhje

Ëndrrat e këputura të emigrantëve - 2004-05-19


Javët e fundit mijëra njerëz u grumbulluan në një qytet të vogël me pluhur në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara, me shpresën për të kaluar kufirin para fillimit të zbatimit të një mase nga ana e Patrullës Kufitare amerikane. Por, me sa duket shumë nga ëndrrat e këtyre njerëzve do të mbeten në mes të diellit, në shkretëtirë.

Bëhet fjalë për një nga komunitetet më të prapambetura përgjatë kufirit meksikano-amerikan prej 3 mijë kilometrash. Në anën meksikane të kufirit, qyteti El Sasabe përbëhet vetëm nga një numër shtëpish të shpërndara aty - këtu, si dhe dy-tre dyqane, një prej të cilëve quhet “El Super Coyota”.

Pronarja thotë se dyqani mban emrin e kafshës kojota, por ky term në anglisht ka edhe kuptimin kontrabandist, për njerëzit që i udhëheqin imigrantët të kalojnë kufirin, me një çmim të caktuar. Menaxherja e dyqanit, e cila nuk pranon të intervistohet, mohon të ketë lidhje me rrjetin e kontrabandistëve, por ajo thotë se imigrantët ndalojnë tek dyqani i saj për të blerë ujë dhe ushqime, para se të fillojnë rrugën e gjatë për kalimin e kufirit.

Disa qindra metra më tutje, në anën tjetër të kufirit, shtrihet qyteti Sasabe i Arizonës. Alice Knage është pronarja e një dyqani që shet artikuj të ndryshëm dhe që jashtë dyqanit ka ekspozuar pompa benzine. Ajo thotë se vala e imigrantëve është shtuar së tepërmi kohët e fundit duke shaktuar shpeshherë shkatërrime.

“Ata vandalizojnë shtëpitë. Hyjnë nëpër shëpitë që janë bosh, apo që janë dhënë me qira, kur nuk ka njeri brenda. Hyjnë nga driteret. Prapa lenë tonelata plehërash. Kur ikin, lenë prapa rroba dhe sende të ndryshme. Gjatë vitit të fundit, duket sikur numri i imigrantëve është rritur jashtëzakonisht shumë. Duket sikur nga kufiri meksikan po vijnë me mijëra njerëz”, thotë Alice.

Në përgjigje të shtimit të valës së imigrantëve në qytetin amerikan Sasabe dhe në zonat e shkreta përreth tij, Patrulla Kufitare e Shteteve të Bashkuara dërgoi një numër më të madh agjentësh dhe automjetesh për kapjen e imigrantëve të paligjshëm, gjë që banorët thonë se ka krijuar më tepër rrëmujë.

Gjatë javëve të fundit, numri i imigrantëve që hyjnë nga kufiri meksikan është rritur së tepërmi për shkak të spekulimeve se presidenti Bush do t’u japë amnisti imigrantëve të paligjshëm që ndodhen në vend deri më 1 qershor. Diçka është e vërtetë: Patrulla Kufitare amerikane ka në plan t’i forcojë masat para 1 qershorit.

Arsyeja që imigrantët vijnë në këtë rajon të prapambetur dhe të izoluar pranë kufirit janë masat më forta në pjesë të tjera të kufirit. Gjithashtu arsyeja është se kontrabandistët gjenden pikërisht këtu, ata kërkojnë disa qindra dollarë për t’i futur njerëzit në kufirin amerikan dhe më pas për t’i shoqëruar ata mespërmes shkretëtirës, për në një pikë tjetër më në brendësi të Shteteve të Bashkuara. Zakonisht, ata i merr një mikrobuz, apo kamion, që i transporton në qytetet Tucson, ose Phoenix, ku ata gjejnë punë, ose shkojnë në qytete të tjera amerikane.

Në se imigrantët nuk kanë para për të paguar kontrabandistin, ata marrin hua para prej tij me inters. Zakonisht, një anëtar i familjes nga Meksika duhet të dalë garant se çmimi i caktuar do të pagohet. Por ka edhe raste të tjera, si ky burrë, për shembull, i cili preferon t’i marrë rreziqet vetë, duke e kaluar kufirin i vetëm.

Ai thotë se është nisur vetëm, duke ndjekur një grup njerëzish, vetëm se ka ndjekur turmën. Thotë se ka 6 fëmijë, që nuk i ka marrë me vete dhe se në Meksikë nuk gjente dot punë për të mbajtur familjen. Një imigrant thotë se ai dhe shoqja e tij kanë vetëm nga një shishe me ujë, por nuk shqetësohet për rreziqet me të cilat do të përballet me të kapërcyer kufirin dhe kur të jetë në shkretëtirë.

Shumicës së njerëzve që vijnë nga Meksika u kanë dhënë informacione të gabuara lidhur me vështirësitë që do të hasin në Amerikë. Për shkak të shtimit të operacioneve të Patrullës Kufitare në anën tjetër, ata nuk mund të kalojnë nëpër rrugë, apo autostrada pa u diktuar.

Kjo do të thotë se do t’u duhet të kalojnë mespërmes shkëmbinjve dhe shketëtirës Sonotra, ku ka fare pak hije dhe temperaturat arrijnë në mesditë në 44 gradë Celsius. Edhe natën, në këtë periudhë të vitit, temperaturat në shkretëtirë mund të vazhdojnë të jenë të larta, 36 gradë celsius.

Vitin e kaluar, 340 njerëz vdiqën, gjatë përpjekjeve për të hyrë të mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe një përqindje e lartë e vdekjeve ndodhën në shkretëtirën e Arizonës. Por pagat disa herë më të larta se ato në Meksikë i tërheqin imigrantët, edhe pse ata i kanë hyrë një rruge plot rreziqe. //kk//

XS
SM
MD
LG