Lidhje

Parlamenti shqiptar diskuton ligjin e pronave - 2004-05-20


Në Shqipëri parlamenti nisi sot shqyrtimin e ligjit për pronat. Ai hodhi poshtë projektin e paraqitur nga dy deputetë të djathtë dhe të hartuar së bashku me shoqatën kombëtare të të shpronësuarve i cili synonte kompensimin fizik të pronarëve duke u njohur atyre të drejtën mbi pasuritë e tyre. Si socialistët ashtu dhe demokratët u shprehën se ky projekt nuk përfaqëson zgjidhjen e drejtë të këtij problemi. Të dy palët ranë dakort që të shyrtojnë javën e ardhshme një tjetër projekt të hartuar me ndërmjetësinë e Osbe-së.

Më në fund pas disa vitesh sorrollatjesh e zvarritjesh ndonëse në shkelje të hapur me afatet e përcaktuara në kushtetutë, cështja delikate dhe problematike e pronave arriti në sallën e parlamentit. Deputetët nisën sot diskutimin e njërit prej dy varianteve të propozuara, projektin e hartuar nga shoqata kombëtare e të shpronësuarve dhe të paraqitur nga deputetët e djathtë Fatmir Mediu dhe Alfred Cako. Thelbi i këtij projekti ka të bëjë me shfuqizimin e pothuajse tërë pakteës ligjore që lidhet më pronën të miratuara që nga fillimi i viteve ’90 dhe kthimin fizik të saj pronarëve të ligjshëm. Sipas deputetit Mediu ky projekt është zgjidhja e vetme dhe përfundimtare: “Gjykoj se zgjidh në themel problemet e mëdha të pronësisë duke shmangur cdo konflikt mbi këtë cështje dhe duke krijuar një treg real toke dhe për pasojë një ekonomi të bazuar në tregun real toke për pasojë një ekonomi bazuar në tregun real. Ai vendos nën kontroll të gjitha abuzimet dhe korrupsionin e deritanishëm mbi pronësinë në Shqipëri që duam të legjitimojmë me ligjin e paraqitur nga OSBE-ja e të mbështetur nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë”.

Por si partia demokratike ashtu dhe socialistët e quajnë të pamundur zbatimin e tij. Kryetari i grupit parlamentar të partisë demokratike Bamir Topi theksoi se abuzimet e mëdha që janë bërë me pronat kanë sjellë në një situatë ku duhet shpëtuar cfarë mund të shpëtohet: “Ne jemi shumë të shtrënguar në kohë sepse gjatë kohës që ne mendojmë të realizojmë një prjektligj komisionet administrativbe shtetërore, natyrisht ato që jnën juridiksionin dhe supervizionin vertical të qeverisë vazhdojnë dhe bëjnë abuzime me tokat, kudo qoftë në zonat urbane dhe sidomos në zonat bregdetare. Kjo është arsyeja që ne jemi të detyruar të trajtojmë një ligj për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet por duke rekuperuar në mënyrën më të plotë pronarët legjitim”.

Ndërsa kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci tha se projkekti i paraqitur nuk është zgjidhja më e mirë: “Duke patur parasysh se përmbajtja e nismës së dy kolegëve nuk është zgjidhja më e drejtë më racionale, duke patur parasysh se amendamentet e propozuara nuk janë në përputhje edhe me eksperiencën e vendeve të tjera të lindjes që janë marrë me këtë problem, duke marrë parasysh se përmbajtja e amendamenteve abrogon një tok ligjesh të miratuara nga parlamenti pluaralist dhe me konsensusin e forcave të ndryshme politike dhe mbi të gjitha ligjin 7501 gjë që do të ishte antidemokratike dhe antikushtuetuese e në kundërshtim me konventat ku ne aderojmë dhe i kemi nënshkruar, grupi i partisë socialiste do të votojë kundër”.

Javën e ardhshme parlamenti do të diskutojë projektin e hartuar nga një grup deputetësh të majtë e të djathtë me ndërmjetësinë e ekspertëve të Osbe-së. Një projekt i cili parashikon si kompnesimin fizik ashtu dhe atë financiar. Sipas Komisionit të Kthimit të Pronave, pretendimet e pronarëve mund të kënaqen fizikisht në masën 70 përqind. Por kjo shifër konsiderohet jo realiste nga shoqata e të Shpronësuarve, sipas të cilëve sipërfaqet e mbetura të lira janë shume herë më pak se ato të deklaruara zyrtarisht. Në një rast të tillë vlera e kompensimit financiar kap shifra marramendëse sipas shoqatës dhe për rrjedhojë edhe ligji i ri do të jetë i pazbatueshëm dhe do të zvarrisë në kohë problemin e pronave.

//rd//

XS
SM
MD
LG