Lidhje

Shkelja e të drejtave të njeriut në Venecuelë - 2004-05-22


Sipas një raporti të ri të organizatës Amnesty International, të drejtat e njeriut në Venezuelë janë në rrezik. Shkeljet më të fundit të të drejtave të njeriut pasuan protestat për dorëheqjen e presidentit Hugo Chavez. Ata që nënshkruan peticionin kundër zotit Chavez thonë se politikat e tij kanë bërë më të varfër miliona banorë të Vezuelës dhe e kanë çuar vendin drejtë një renimi ekonomik.

Gjatë këtyre protestave, të paktën 14 veta u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën në përleshjet me policinë. Shumë demostrues përdorën dhunë, thotë Amnesty International, por forcat e sigurimit shpesh përdorën forcë të tepruar, duke bërë që dhuna të shkallëzohej në vend që ajo të parandalohej ose të mbahej nën kontroll. Veprimet e forcave të sigurimit, vazhdon raporti, vë në pikëpyetje vendosmërinë e institucioneve kyqe për parandalimin dhe dënimin e paanshëm të akteve të tilla.

Mosrespektimi i të drejtave të njeriut gjatë këtyre protestave ishte shkak i dorëheqjes së Milos Alcalait, ambasador i Venezuelës në Kombet e Bashkuara. Ai tha se nuk mund të mbronte më shkeljen e të drejtave të njeriut në vendin e tij.

“Veçanërisht kur je në një ndërtesë, siq është ajo e Kombeve të Bashkuara, ku çdo ditë kemi të bëjmë me këtë çështje me përparësi, ambasadori i Venezuelës nuk mund të shkojë në Komitetin për të Drejtat e Njeriut , për të mbrojtur të drejtat e njeriut, kur çdo ditë në shtyp dhe media shoh se si ato shkelen në vendin tim,” thotë ai.

Zoti Alcalay shprehu keqardhje që pa Venezuelën të vuante nga ajo që ai e quajti shkelje të të parimeve bazë.

“Ka mënyra të ndryshme për të ruajtur rendin, pa vrarë dhe burgosur njerëz, pa izoluar politikanët dhe pa tortura dhe kjo është arsyeja pse ne në Amerikën Latine luftuam për demokraci,” thotë ambasadori Alcalay.

Shkelja e të drejtave të njeriut në Venezuelë mund të dobësojë respektimin e shtetit ligjor dhe mund të nxisë protesta të mëtejshme me motive politike. Siç thotë Amnesty International, mungesa e një politike asnjanëse të qeverisë së zotit Chavez, rrezikon të forcojë kulturën e mosndëshkimit, e cila ka shoqëruar shkeljen e të drejtave të njeriut në Venezuelë për vite të tëra.

XS
SM
MD
LG