Lidhje

Dhunë në Lindjen e Mesme - 2004-05-22


Një shpërthim vetëvrasës në Bregun Perëndimor shkaktoi plagosjen e të paktën katër vetave, ndërkohë që në Rripin e Gazës dëshmitarët palestinezë thonë se trupat izraelite vranë një fëmijë palestinez.

Ushtria izraelite thotë se në incidentin e Bregut Perëndimor, një plaestinez aktivizoi lëndët plasëse në afërsi të një postblloku, duke vrarë veten dhe shkaktuar plagosjen e një ushtari izraelit dhe të tre palestinezëve.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin që ndodhi jo shumë larg një vendbanimi hebraik.

Ndërkohë, dëshmitarë palestinezë thonë se në kampin e rrethuar të refugjatëve në Rafah të Rripit të Gazës, një vajzë e vogël u vra nga zjarr i ushtarëve izraelitë. Fëmija, për të cilën dëshmitarët thonë se nuk ishte më e madhe se katër vjeç, u vra kur ajo shkoi tek një dyqan për të blerë sheqerka.

Zyrtarë ushtarakë thanë se nuk ishin të vetëdijshëm për të shtëna në atë zonë, por shtojnë se kanë filluar hetimet.

Vdekja e vajzës e rrit në 41 numrin e palestinezëve të vrarë këtë javë që kur Izraeli filloi ofensivën e tij në kamp për të gjetur dhe shkatërruar tunele që përdoren për futjen kontrabandë të armëve nga Egjipti.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë sot se kanë zbuluar një tunel të tillë në Rafah, i pari që gjendet që kur ushtria filloi operacionin e saj këtë javë, gjatë të cilit janë shkatërruar ose dëmtuar dhjetëra shtëpi, duke lënë qindra palestinezë pa strehë. //kk//

XS
SM
MD
LG