Lidhje

Arti Bizantin në Muzeun Metropolitan të New Yorkut - 2004-05-23


Në Muzeumin Metropolitan të Arteve në Nju Jork është hapur një ekspozitë e artit bizantin, e cila është ndoshta më e madhja e këtij lloji e organizuar ndonjëherë. Shumica e punimeve janë paraqitur shumë rrallë në publik apo nuk janë ekspozuar kurrë përveç se në kisha dhe manastire ku edhe janë ruajtur.

Ato janë sjellë nga vende nga më të ndryshme, nga Ballkani e deri në Egjipt dhe në Siri dhe ekspozita flet me gojën e pikturave dhe të dorëshkrimeve, jo vetëm për kulturën bizantine në përgjithësi por edhe për ndikimet që kanë patur kulturat e tjera mbi të.

Bizanti, gjysma lindore e Perandorisë Romake është quajtur periudha më e shkëlqyer e qytetërimit mesjetar.

Në kulmin e vet, kjo perandori sundonte nga Rusia deri në Egjipt. Kryeqytet i saj ishte Konstantinopoja, apo siç quhej ”Roma e Re”, që është Stambolli i sotëm. Të bazuara mbi Krishtërimin Lindor Ortodoks, punimet e artistëve bizantinë i shërbenin pikërisht këtij besimi mistik.

Ekspozita e madhe e periudhës së vonë bizantine në Muzeun Metropolitan të Arteve fillon me vitin 1261 dhe mbaron në vitin 1557, 100 vjet pas rënies së Bizantit nën turqit osmanë. Ja ç’thotë Helen Evans përgjegjëse arti e muzeut:

“Ne kemi ekspozuar në një sallë të vetme jo vetëm artin bizantin por të të gjithë rivalëve fqinjë të kësaj perandorie për të treguar se si luftohej në atë kohë për dominim politik, se si përvetsoheshin veprat e artit dhe si krijoheshin veprat e mëdha. Shumica e veprave që mbijetuan u përkasin kishave”.

Ekspozita përmbledh 350 piktura, mozaikë, dorëshkrime si dhe punime tekstili, guri dhe metalesh të çmuara madje edhe relike të arkitekturës. Shumica e tyre janë paraqitur shumë rrallë në publik apo nuk janë ekspozuar kurrë përveç se në kisha dhe manastire ku edhe janë ruajtur.

“Në një mënyrë apo tjetër ne kemi punuar për këtë ekspozitë shtatë vjet me radhë. Kemi huazuar punime nga rreth 30 vende dhe 123 institucione. Ndër vendet nga të cilat kemi huazuar janë Egjipti në jug deri te Rusia në Veri. Nga Siria deri në Angli. Kemi gjithashtu disa punime nga vende që ishin qendrore në Perandorinë Bizantine si Greqia dhe Turqia. Kemi marrë gjithashtu nga vende ballkanike si Bullgaria dhe Serbia”, thotë zonja Evans.

Arti bizantin i largohet botës natyrore duke u përpjekur të paraqesë atë që është e përjetshme, e shenjtë dhe e pandryshueshme. Punimet në këtë ekspozitë janë ikona, imazhe fetare që mendohen si të shenjta dhe të adhuruara. Ato mund të jenë ikona njerëzish të shenjtë si Shën Theodosia apo shenjtorësh rusë si Borisi dhe Glebi.

“Ky është imazhi i mrekullueshëm i dy burrave që qëndrojnë në këmbë me kryqet dhe shpatat e martirizimit duke mbrojtur Rusinë dhe të veshur me rroba që të kujtojnë oborret e botës Bizantine, sidomos këpucët e kuqe të cilat janë simboli bizantin i familjes mbretërore”.

Ari dhe bojrat e arit janë përdorur shpesh në krijimin e këtij lloj arti sepse mendohej se drita simbolizonte praninë hyjnore. Më shpesh, figurat e ekspozuara paraqesin Shën Mërinë, nënën e Krishtit dhe vetë Jezu Krishtin, si foshnje por edhe të rritur.

Më shumë se 40 ikona të çmuara janë huazuar nga manastiri antik i Shën Katerinës në Sinai të Egjiptit. Ato ekspozohen në një galeri të ndërtuar enkas për ti shëmbëllyer kësaj kishe të shekullit të gjashtë.

Në 300 vitet e historisë të pasqyruara në ekspozitën e Muzeut Metropolitan të Artit, mbretëria e Serbisë doli si një fuqi e madhe në sferën bizantine. Muzeu i Serbisë dhe Malit të Zi në Beograd si dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë dhënë një numër të madh punimesh arti për këtë ekspozitë:

“Janë punime monumentale dhe të rëndësishme të cilat flasin për kulmin e kësaj kulure, që flasin gjithashtu për të gjithë sferën Bizantine sepse kjo dritare rozetë për shembull, është fragment i një ndërtese të madhe. Kështu që njerëzit që vizitojnë këtë ekspozitë mund të krijojnë një ide të madhështisë së arkitekturës bizantine të kësaj periudhe dhe të mos e shohin Bizantin vetëm përmes objekteve të vogla dhe delikate.”

Arti Bizantin është ndikuar edhe nga kultura islamike dhe siç tregojnë dy galeritë e fundit në ekspozitën e Muzeut Metropolitan të Arteve, arti Evropiano perëndimor i Rilindjes ka qenë ndikuar nga estetika bizantine siç mund të shihet në veprat e El Grecos, artist spanjoll me prejardhje nga Kreta. //kk//

XS
SM
MD
LG