Lidhje

Trupat izraelite tërhiqen nga një pjesë e rëndësishme e kampit të refugjatëve Rafah - 2004-05-23


Zyrtarë ushtarake izraelitë thanë se trupat po tërhiqen nga një pjesë e rëndësishme e kampit të refugjatëve Rafah në Rripin e Gazës, 6 ditë pas bastisjeve në këtë zonë në kërkim të armëve dhe ekstremistëve.

Dëshmitarët dhe zyrtarët ushtarakë thanë se tanket dhe ushtarët izraelitë filluan të largohen nga lagjja Tel Sultan dje vonë. Kjo lagje ka qënë skenë e disa prej luftimeve më të ashpra gjatë inkursionit izraelit në Rafah, i cili la më shumë se 40 palestinezë të vrarë.

Ministri izraelit i mbrojtjes Shaul Mofaz tha dje se bastisjet në Rafah do të vazhdojnë edhe për disa ditë.

Ai përsëriti qëndrimin e Izraelit se operacioni ka për qëllim ndalimin e ekstremistëve dhe shkatërrimin e tuneleve, që përdoren për kontrabandimin e armëve nga Egjipti.

Tërheqja e pjesëshme u bë disa orë pasi zyrtarë izraelitë thanë se kryeministri Ariel Sharon do të përfundojë planin e tij të ri për t’u tërhequr këtë javë nga disa prej vendbanimeve hebraike dhe do t’ia paraqesë atë kabinetit të tij të dielën e ardhshme.

Kryeministri Sharon ka punuar për ndryshimin e planit që kur Partia e tij Likud e hodhi poshtë propozimin fillestar me anë të një referendumi më 2 maj. Thuhet se plani i ri bën thirrje për tërheqje nga Rripi i Gazës dhe nga 4 vendbanime të Bregut Perëndimor në faza dhe jo nga të gjitha menjëherë.

Gjatë takimit të kabinetit dje, ministri izraelit i drejtësisë, Yosef Lapid, kritikoi shëmbjen e dhjetra shtëpive palestineze nga forcat izraelite në kampin e refugjatëve Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës javën e kaluar.

Ndërkohë, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë njoftoi se ushtarë izraelitë hapën zjarr dhe ndaluan një zyrtar të lartë të kësaj agjencie javën e kaluar.

//ze//

XS
SM
MD
LG