Lidhje

Presidenti Bush do të mbajë fjalim për transferimin e pushtetit në Irak - 2004-05-23


Presidenti Bush do të një fjalim në lidhje me planet për transferimin e pushtetit në Irak. Fjalimi i pazakontë do të mbahet sonte në një objekt ushtarak në Pensilvani.

Do të jetë i pari i një serie prej gjashtë fjalimesh që do t’i paraprijnë dorëzimit të sovranitetit politik një qeverie të përkohshme irakiane më 30 qershor.

Këto fjalime bëjnë pjesë në përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për ta shmangur vëmendjen nga dështimet e kohëve të fundit në Irak drejt prespektivës së një të ardhmeje demokratike për popullin e Irakut.

Në një kohë kur titujt kryesorë të gazetave sillen rreth dhunës që vazhdon në Irak, dhe skandalit në lidhje me abuzimin ndaj të burgosurve irakianë, Presidenti Bush do ta hedhë vështrimin në periudhën e pas-pushtimit.

Zoti Bush do të flasë në Kolegjin Ushtarak të luftës - një shkollë e ushtrisë amerikane, e cila ofron kurse mbi çështje të sigurimit dhe të politikës së jashtme. Ai pritet ta shfrytëzojë këtë fjalim për të përfshirë së bashku të gjitha aspektet e politkës së tij ndaj Irakut duke vënë theksin tek planet për kalimin e pushtetit.

Disa nga temat do të jenë të njohura. Presidenti Bush ka të ngjarë të theksojë përsëri angazhimin e tij për respektimin e datës së 30 qershorit dhe angazhimin për lulëzimin e një demokracie të re në Irak.

Një anëtar me peshë i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura po i bën thirrje Presidentit Bush që të garantojë shtimin e sigurisë gjatë kalimit të pushtetit duke dërguar më shumë trupa në Irak. Republikani nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, tha për televizionin FOX se numri i përgjithshëm i trupave ushtarake atje duhet shtuar.

“Për mua është e qartë se jo vetëm në Irak, por edhe më gjerë, për shembull, edhe në Afganistan e Kore dhe të gjitha detyrimet e Amerikës, ne po e shtojmë tepër ngarkesën mbi forcat tona. Së shpejti do të kemi nevojë për një numër më të madh forcash dhe duhet të veprojmë më mirë herët se vonë në këtë drejtim”.

Në të njëjtin emision të televizionit FOX, senatorja demokrate, Hillary Clinton e shtetit të New Yorkut iu bashkua atyre që bëjnë thirrje për një numër më të madh trupash.

“Na duhet t’i japim përgjigje nevojës për më shumë trupa aktive ushtarake. Nuk mund të vazhdojmë të konsumojmë energjitë e trupave tona aktive dhe ato të gardës kombëtare e trupave rezerviste deri në atë pikë sa nuk mban më, ashtu siç po veprojmë tani”.

Në televizionin NBC, Republikani nga Kalifornia, Duncan Hunter - kryetar i Komitetit të Dhomës së përfaqësuesve për Forcat e Armatosura ofroi një pikëpamje tjetër. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë përpjekje të tjera për kalimin e detyrave të sigurimit tek irakianët.

“Së bashku me kalimin e pushtetit politik, ne duhet të bëjmë edhe transferim të detyrave ushtarake. Është koha ta kalojmë një pjesë të barrës në shpatullat e forcave irakiane”.

Ligjvënësi Hunter ka qenë një kritik i hapur i seancave të senatit në vazhdim mbi skandalin e abuzimeve në burg dhe të politikave të presidentit në lidhje me Irakun. Ai ka argumentuar se kërkesat për të dëshmuar ulin aftësinë e komandantëve në terren për t’u përqendruar në operacionet ushtarake. //kk//

XS
SM
MD
LG