Lidhje

Qeveria e Kubës vazhdon përndjekjen e disidentëve politikë - 2004-05-24


Kuba zhvilloi gjyqin e tretë ndaj disa disidentëve në më pak se një muaj dhe dënoi tre persona me nga tre vjet burgim. Krimi i tyre i vetëm ishte se kishin marrë pjesë në takime për të drejtat e njeriut. Orlando Zapata Tamajo, Raul Arensibia Fahardo dhe Verhilio Marante Gulmes u dënua pas një procesi gjyqësor të manipuluar një ditësh për mospërfillje të autoritetit, sjellje të parregullt dhe rezistencë gjatë arrestit.

Ata u arrestuan në dhjetor 2002, kur disidentët kubanë po zhvillonin një takim në Havanë për të studiuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Veprimtari i shquar Oscar Elias Biset, me profesion mjek, u arrestua gjatë të njëjtit incident. Ai po vuan dënimin me 25 vjet burgim.

Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Adam Ereli tha se gjyqi u zhvillua pas një numër procesesh të tjera gjyqësore këtë muaj, gjatë të cilëve 10 udhëheqës të opozitës dhe veprimtarë të shoqërisë civile u dënuan me deri në shtatë vjet burgim nën akuza të sajuara:

“Këto veprime janë një tregues tjetër i përpjekjeve të regjimit të Kastros për të goditur këdo që guxon të ushtrojë të drejtat e tij bazë ose të kritikojë në ndonjë formë ata që janë në pushtet. Këto janë tregues të mënyrës sesi Kastro e ka izoluar veten dhe ka shkaktuar përçmimin e komunitetit ndërkombëtar,” tha zoti Ereli.

Vitin e kaluar regjimi komunist i Kubës filloi një fushatë masive për të goditur veprimtarët pro-demokracisë. Djetëra gazetarë, ekonomistë dhe reformatorë u ndaluan në një seri bastisjes të programuara. Disa prej tyre u liruan, por 75 veta u gjykuan në procese të padrejta dhe u dënuan me burgim deri në 28 vjet. Krimi i tyre i vetëm, tha presidenti George Bush, ishte se kishin kërkuar liri dhe dinjitet për popullin kuban:

“Krimet e tyre përfshinin botimin e gazetave, organizimin e paraqitjes së peticioneve, takime për të diskutuar të ardhmen e vendit të tyre. Të burgosurit politikë të Kubës iu nënshtruan rrahjeve, mbajtjes në izolim dhe mohimit të trajtimit mjeksor,” tha presidenti Bush.

Të gjithë kubanët duhet të jenë në gjendje të organizohen të grumbullohen, të botojnë dhe të flasin hapur. “Përmes shembullit tonë demokratik,” tha presidenti Bush “ne duhet të vazhdojmë t’i qëndrojmë në krah popullit të guximshëm të Kubës, i cili për afro gjysmë shekulli ka duruar tiraninë dhe shtypjen. Diktatura nuk ka vend në kontinentet amerikane.” //ad//

XS
SM
MD
LG