Lidhje

Shqipëri: gazetarët në protestë - 2004-05-24


Në Shqipëri gazetarë të organeve të ndryshme të shtypit të shkruar dhe medias elektronike u mblodhën sot përpara selisë së kryeministrisë për të protestuar ndaj trysnisë së qeverisë ndaj shtypit. Protesta ishte organizuar nga shoqatat e gazetarëve dhe lëvizja “Mjaft”. Ajo erdhi pas vendimit të gjykatës së Tiranës për ndëshkimin me 2 milion lekë të botuesit të gazetës Koha Jonë, Nikollë Lesi pas një padie të ngritur ndaj tij nga Kryeministri Fatos Nano.

Një pirg me gazeta, televizorë dhe kompjutera të lidhur me zinxhira përbënin thelbin e dekorit të protestës që mblodhi sot përpara selisë së kryeministrisë gazetarë dhe drejtues të shtypit të shkruar dhe medias elektronike shqiptare. Disa parulla në duar, bilbila që fërshëllenin apo fasho të zeza të lidhura në gojë ishin forma e vecantë e zgjedhur nga përfaqësuesit e shtypit për t’i kërkuar qeverisë që të heqë dorë nga trysnia ndaj mediave.

Protesta e sotme ishte organizuar nga shoqatat e gazetarëve dhe lëvizja Mjaft. Ajo u nxit nga vendimi i javës së shkuar i gjykatës së Tiranës ndaj botuesit të gazetës Koha Jonë Nikollë Lesi, i cili u dënua me 2 milion lekë gjobë për disa shkrime ku sulmohej kryeminisri Nano dhe dy vartës të tij për shkak të një shpërblimi që morën pas privatizimit të Bankës së Kursimeve.

Vendimi i gjykatës, sipas tre shoqatave të gazetarëve, ka qenë i ndikuar nga pushteti i kryeministrit. Shoqatat e konsiderojnë atë si një rast unikal kur një gazetë dënohet se ka thënë të vërtetën.

Sipas deklaratës së tyre, gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri sa vjen dhe po keqësohet prandaj protesta e sotme do të shërbente për të ndalur revanshin e pushtetit ndaj fjalës së lirë.

Për këtë cështje sot edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se kjo është një nga ditët më të zeza për lirinë e fjalës dhe të shprehjes dhe se ky problem duhet të jetë një problem kardinal i parlamentit. Ai u shpreh se opozita nuk mund të ekzistojë kur parlamentarët e fjalës së lirë i nënshtrohen dhunës dhe terrorit shtetëror.

Socialistët në pushtet janë kritikuar ashpër sidomos nga opozita dhe organet e saj të shtypit të cilat kanë me dhjetra procese të hapura gjyqësore me ministra apo pushtetarë të tjerë të majtë.//ii

XS
SM
MD
LG