Lidhje

Irak: një marins amerikan humbi jetën në Falluxhah - 2004-05-24


Zyrtarë ushtarakë amerikanë në Irak thanë se një marins amerikan humbi jetën nga shpërthimi i një makine bombë në Falluxhah të Irakut perëndimor.

Disa orë para këtij sulmi, zyrtarët amerikanë i dhanë policisë irakiane në Falluxhah një listë me emrat e 25 të dyshuarve për vrasjen dhe poshtërimin e trupave të 4 kontraktorëve amerikanë të sigurimit më 31 mars. Këto vrasje u pasuan nga një ofensivë amerikane kundër milicive në Falluxhah, por tani koalicioni ia ka kaluar sigurimin forcave irakiane.

Në një zhvillim tjetër, forcat amerikane thanë se vranë të paktën 32 anëtarë të milicisë shiite besnike të klerikut radikal, Moktada al-Sadër, gjatë luftimeve rreth qyteteve Kufa dhe Najaf në Irakun jugor.

Ata thonë se mes atyre që humbën jetën ishin rreth 20 luftëtarë shiitë, të cilët u vranë kur forcat amerikane sulmuan një xhami në qytetin Kufa, që përdorej për të magazinuar armë. Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se një forcë e posaçme irakiane hyri në xhami dhe jo ushtarët amerikanë.

Këto akte dhune ndodhën ndërkohë që presidenti Bush përgatitet të mbajë sonte një fjalim ku do të njoftojë planet amerikane për transferimin e pushtetit politik në Irak. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se fjalimi në Kolegjin e Luftës të Këmbësorisë amerikane në shtetin Pensillvenia do të jetë vetëm njëri prej disa fjalimeve që Presidenti do të mbajë gjatë 5 javëve të ardhëshme. Zyrtarët thonë se zoti Bush do të flasë rreth mënyrave për ta mbajtur Irakun në rrugën drejt demokracisë përpara dhe pas afatit të 30 qershorit, kur pushteti do t’i dorëzohet një qeverie të përkohëshme irakiane.

Po dje, trupat amerikane hynë në qytetin Karbala, por nuk gjetën milicë të klerikut al-Sadër. Banorët thonë se luftëtarët ishin tërhequr nga qyteti.

//ze//

XS
SM
MD
LG