Lidhje

SHBA: kandidati i pavarur Ralph Nader dhe fushata e demokratëve - 2004-05-24


Kandidati demokrat presidencial John Kerry u takua javën e kaluar me kandidatin e pavarur Ralph Nader, mes shqetësimeve të Partisë Demokrate se zoti Nader mund të dëmtojë shanset e zotit Kerry në zgjedhjet e nëntorit dhe të ndihmojë indirekt në rizgjedhjen e presidentit Bush. Korrespondenti ynë Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Washingtoni rreth të ashtuquajturit Faktori Nader në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Senatori Kerry tha se nuk i kërkoi zotit Ralph Nader që të braktisë fushatën e tij presidenciale por zoti Nader u shpreh se është i vendosur të qëndrojë në fushatë si kandidat i pavarur. Që të dy thanë se janë të angazhuar për të mposhtur presidentin Bush dhe se do t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimit.

Zoti Nader foli rreth arsyeve të tij për të vënë kandidaturën për në Shtëpinë e Bardhë gjatë një interviste televizive.

“Ne duhet ta hapin procesin zgjedhor. Shtetet e Bashkuara nuk u takojnë vetëm dy partive politike, megjithësë këto dy parti mendojnë se e kanë pronë Amerikën. Këto parti nuk po mbrojnë interesat e Amerikës. Ato po shesin zgjedhjet, po shesin qeverinë, ato po shesin veten tek konkurentët më të mëdhenj komercialë dhe e kanë shndëruar vendin tonë në një domonim të madh biznesi.”

Demokratët kanë frikë se zoti Nader mund të marrë një numër të madh votash të zotit Kerry në zgjedhjet e nëntorit duke bërë që zgjedhjet të fitohen nga presidenti Bush. Në zgjedhjet presidenciale para 4 vjetësh, Ralph Nader fitoi më pak se 3 përqind të votave në gjithë vendin. Por numri total i votave të fituara prej tij në shtetet Florida dhe New Hampshire, ishte më i madh se sa numri me të cilin zoti Bush fitoi zgjedhjet në ato dy shtete.

Analisti politik, Norman Ornstein thotë se Ralph Nader përbën kërcënim për senatorin John Kerry sepse ai mund të fitojë votat e demokratëve në zgjedhjet e nëntorit, të cilët mbështesin tërheqjen amerikane nga Iraku, diçka që si presidenti Bush ashtu edhe senatori Kerry e kundërshtojnë.

“Njerzit që besojnë se duhet votuar për një kandidat që është kundër luftës në Irak dhe që mbështet tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane nga Iraku kanë një kandidat për të votuar e ai është Ralph Nader. Por zoti Nader përbën rrezik sepse tërheq vota të të majtëve, që përndryshe do të votonin për zotin Kerry.”

Republikanët shpresojnë që fushata e zotit Nader të marë hov dhe të bëhet një faktor shkatërrimtar për shanset e fitores së zotit Kerry. Megjithatë edhe disa prej përkrahësve më të fuqishëm të presidentit e pranojnë se zoti Bush mund të përballet me vështirësi deri në zgjedhjet e nëntorit në përpjekjet e tij për t’i bindur votuesit se administrata e tij është në rrugën e duhur në Irak.

Ish autori i fjalimeve të presidentit Bush, David Frum, ka shkruar librin me titull: Zhdukja e së keqes: Si të fitohet lufta kundër terrorit. Ai ishte i ftuar në një konferencë shtypi këtu në Zërin e Amerikës.

“Në se zgjedhjet janë një referendum vetëm mbi Irakun, kjo do të ishte shumë e vështirë për presidentin. Në se zgjedhjet do të jenë një referendum për luftën globale kundër terrorizmit, pjesë e së cilës është edhe lufta në Irak, mendoj se presidenti do të jetë në pozita të mira. Pra ne do të debatojmë jo rreth luftës por rreth çështjeve të debatit. A është Iraku pjesë e luftës apo jo?”

Tani për tani, anketat e opinionit lenë të kuptohet se miratimi për presidentin është në nivelin më të ulët, që kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që shumica e sondazheve tregojnë se senatori Kerry gëzon një mbëshjtetje pak më të madhe në se zgjedhjet do të mbaheshin tani. Por zgjedhjet do të zhvillohen në nëntor dhe strategët e të dyja palëve thonë se është tepër herët të parashikohet se si do të ndikojë çështja e Irakut tek votuesit amerikane në ditën e zgjedhjeve pas gati 6 muajsh.

XS
SM
MD
LG