Lidhje

Presidenti Bush:  të njejtën strategji për Irakun si Presidenti Shirak - 2004-05-25


Presidenti Bush thotë se ai dhe Presidenti i Francës, Jacques Chirac, kanë të njejtën strategji për një Irak të lirë, të qendrueshëm dhe paqësor.

Presidenti Bush i telefonoi zotit Shirak sot pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania paraqitën dje një projektrezolutë për Irakun në Kombet e Bashkuara, duke mbështetur sovranitetin e një qeverie kalimtare dhe krijimin e një force paqeruajtëse pas dorëzimit të pushtetit më 30 qershor. Presidenti Shirak i tha Presidentit Bush se projekt-rezoluta përmban disa aspekte pozitive por ka nevojë të përpunohet më tej.

Më parë, Gjermania dhe Rusia reaguan gjithashtu me kujdes ndaj projekt-rezolutës.

Rusia tha se do ta diskutojë rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara për Irakun, vetëm pasi të krijohet një qeveri e re e ligjshme.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavror, i tha parlamentit sot se qeveria e tij do të shqyrtojë vetëm çështjen e njohjes së qeverisë kalimtare pasi të marrë informacion nga i dërguari i misionit të Kombeve të Bashkuara në Irak, Lakdar Brahimi.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joscha Fischer, e quajti projekt-rezolutën një bazë të mirë për përpjekjet që të arihet një konsensus në Kombet e Bashkuara. Rusia, Franca dhe Gjermania kanë kritikuar që prej fillimit luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, tha se qeveria kalimtare e Irakut do të ketë kontrollin politik përfundimtar mbi veprimet ushtarake të koalicionit pas trasferimit të sovranitetit më 30 qershor. Zoti Blair tha se transferimi i sovranitetit duhet të jetë real dhe i sinqertë.

Në një fjalim që u transmetua drejt për drejt mbrëmë nga televizioni, Presidenti Bush parashtroi planin për trasferimin e pushtetit politik në Irak dhe paralajmëroi se kryengritësit ka të ngjarë të bëhen edhe më aktivë dhe brutalë me afrimin e 30 qershorit.//ii

XS
SM
MD
LG