Lidhje

Kryeministri Bajram Rexhepi: zoti Holkeri tregoi një angazhim maksimal për përmirësimin e marrëdhënieve etnike - 2004-05-25


Administratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Hari Holkeri dha dorëheqjen për arësye shëndetësore. Ish kryeministri 67-vjeçar i Finlandës, u tha të martën gazetarëve në Helsinki, se e mori këtë vendim me rekomandimin e mjekëve. Zoti Holkeri u shtrua në spital para dy javësh për shkak të një gjendje dobësie të përgjithëshme.

Zëri i Amerikës bisedoi me Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi mbi dorëheqjen e zotit Holkeri.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi a ishte e papritur për ju dorëheqja e zotit Hokerit?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Ndoshta ishte pak e papritur. Por duke qënë vetë me profesion mjek, unë them se ai ka qënë shumë i lodhur dhe këto ditët e fundit, gjendja fizike e tij ka qënë ndoshta me një ngarkesë psiqike tepër të theksuar. Në këtë aspekt nuk jam shumë i befasuar me qëndrimin e mjekëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, dorëheqja e Kryeadministratorit Holkeri bëhet në një moment kur ndaj tij dhe UNMIK-ut ishin shtuar kritikat për dështimin lidhur me kontrollin e trazirave të marsit. A mendoni se kjo ngjarje pati sadopak ndikim në largimin para kohe të zotit Holkeri?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Nuk do të doja të spekulloja, por siç e kemi thenë, mënyra se si u menazhuan ngjarjet, çdokush mund të kritikohej. Megjithatë një angazhim i tepërt i zotit Holkeri për moshën e tij dhe në një gjendje të tillë fizike, ka qënë një ngarkesë e madhe psikologjike dhe kritikat kanë ndikuar që ai të mos jetë dot në gjendje të vazhdojë funksionin e tij. Në parim, gjendja e tij fizike ka qënë mjaft e rëndë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, në një intervistë që zoti Holkeri i dha Zërit të Amerikës, vetëm disa dite para se të merte madantin si kryeadministrator vitin e kaluar, theksoi se detyra e tij kryesore do të ishte të punonte për afrimin e dy komuniteteve. Sot marrëdheniet mes shqiptarëve dhe serbëve janë acaruar më tej. Si do e karakterizonit ju trashëgimine e zotit Holkeri në këtë drejtim?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Mendoj se ai nuk ishte vetëm interesi i zotit Holkeri, por edhe i tërë komunitetit ndërkombëtar. Sigurisht që ne jemi të interesuar që ky komunikim dhe mirëkuptim të jetë edhe më i mirë përsa i përket bashkëpunimit me serbët e Kosovës. Ndonëse me Serbinë jemi shumë larg me qëndrime, zoti Holkeri tregoi një angazhim maksimal. MArrëdhëniet me komunitetin serb nuk kanë qënë perfekte, por pas ngjarjeve të marsit ato janë keqësuar, ka humbur besimi reciprok dhe ne jemi duke punuar bashkërisht që t’i përmirësojmë këto raporte. Në se komuniteti ndërkombëtar pret që këto të rregullohen shumë shpejt, kjo shpresë është jo reale, pasi dallimet janë shumë të mëdha dhe nevojitet kohë e angazhim i të gjithëve. Në këtë moment mendoj se komuniteti serb duhet ta pranojë realitetin e krijuar në Kosovë dhe në këtë mënyrë mund të përmirësohen raportet mes shumicës shqiptare dhe komunitetit serb.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se përmirësimi i këtyre raporteve do të kërkojë kohë. Por Kosova është vetëm një vit larg, nga data që do të bëhet rishikimi i gjendjes, për të parë plotësimin apo jo të standarteve. A mendoni se Kosova mund të marrë një vlerësim pozitiv vitin e ardhshëm, përsa i përket standarteve, bazuar në gjendjen që ekziston sot?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Ne do të bëjmë çmos. Këto standarte i kemi marrë me seriozitetin më të madh. Në varësi nga ajo që pret komuniteti ndërkombëtar, do të bëhet edhe vlerësimi i tyre. Mendoj që edhe qasja se si komunitetit serb i mundësohet bojkotimi i institucioneve, ndonjëherë me arësye, e ndonjëherë pa arësye, dhe inkurajimi i tyre se si të jenë pjesë e procesit, nuk është forma më e mirë. Unë nuk e di se çfarë vlerësimi do të bëhet në mesin e vitit 2005, por pavarësisht nga ajo, unë e them se ne jemi shumë të përkushtuar që të bëjmë përparim, jo vetëm në zbatimin e standarteve, por në të njejtën mënyrë që komunitetit serb t’i ofrohen mundësitë maksismale të integrohet në shoqërinë kosovare. Ne shpresojmë për një vlerësim pozitiv dhe të fillojë përcaktimi i statusit, se çdo zvarritje e përcaktimit të statusit, do të çonte tek keqësimi i gjendjes, tek radikalizimi i saj, gjë që askush nuk e dëshiron.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminister sa ndikim kanë për zhvillimet në Kosovë ndryshimet e shpeshta në krye të administratës ndërkombëtare?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Sigurisht që këto janë një pengesë e madhe për arësye se nganjëherë vjen një udhëheqje, ose kryeadministrator një njeri që nuk ka njohuri të mjaftueshme për Kosovën dhe i nevojitet kohë që të mësohet me realitetin në Kosovë. Prandaj çdo riemërim i tyre është një humbje kohe dhe ngecje në disa iniciative, në disa procese të cilat janë filluar. E njejta gjë po ndodh edhe tash me dorëheqjen e zotit Holkeri dhe ne shpresojmë që do të emërohet dikush i cili e njeh mirë situatën në Balkan në mënyrë që të mos humbasë kohë me njohejn e problematikës në Kosovë, por edhe në Ballkan në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Rexhepi, çfarë do të prisnit ju nga kryeadministratori i ri për Kosovën?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Unë pres që të jetë një njeri i përkushtuar, dinamik dhe të konceptohet maksimalisht që të fillojë më në fund implementimi i standarteve në fusha të caktuara dhe që të jetë po ashtu pak fleksibël përsa i përket transferimit të kompetencave, që është nbërë domosdoshmëri pasi, pas zgjedhjeve të tetorit, qeveria e ardhsme duhet të jetë e kompletuar, që me përjashtim të ministrisë së mbrojtes, duhet t’i ketë të gjitha ministritë në mënyrë që të funksionojë. Prandaj ky të konsiderohet si një proces i transferimit të kompetencave, jo si reduktim i mandatit të UNMIK-ut dhe të eci me status-quo.

XS
SM
MD
LG