Lidhje

Ushtria izraelite tërhiqet nga një kamp i Rripit të Gazës - 2004-05-25


Ushtria izraelite u tërhoq nga një kamp në pjesën jugore të Rripit të Gazës pas një operacioni gjashtëditësh, që la të vrarë të paktën 42 palestinezë dhe një numër të madh të plagosur.

Ushtria izraelite konfirmoi të hënën se kishte urdhëruar tanket dhe trupat të tërhiqen nga kampi Rafah. Por një zyrtar i lartë ushtarak tha se operacioni në Rafah do të vazhdojë.

Forcat izraelite thonë se gjatë operacionit, i cili është dënuar në shkallë botërore, ato kanë shkatërruar dy tunele që përdoreshin për futjen kontrabandë të armëve nga Egjipti.

Tërheqja nga kampi Rafah u bë pak orë pasi dhjetëra mijëra palestinezë morën pjesë në funeralin e atyre që u vranë gjatë operacionit.

Dëshmitarët thonë se linjat e tensionit të lartë dhe kanalizimet u shkatëruan nga forcat izraelite ndërsa banorët vendorë kanë nevojë për ujë dhe ushqim.

Ndërkohë, shefi i shërbimit egjiptian të zbulimit, Omar Sulejman, u takua me kryeministrin izraelit, Ariel Sharon, për diskutime rreth masave të sigurimit në prag të tërheqjes së propozuar izraelite nga Rripi i Gazës.

Zoti Sulejman u takua edhe me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, për diskutime rreth tërheqjes. Zoti Arafat tha se forcat palestineze të sigurimit janë të gatshme të marrin nën kontroll Rripin e Gazës pas tërheqjes së trupave izraelite.

XS
SM
MD
LG