Lidhje

Freedom House: Shqipëria - përparime në shoqërinë civile dhe shtypin e pavarur, hapa prapa për luftën kundër korrupsionit - 2004-05-25


Në një raport të ri me titull Vendet në Tranzicion 2004, organizata Freedom House këtu në Shtetet e Bashkuara, thotë se në Evropë po lind një hendek i ri dhe shqetësues përsa i përket demokracisë. Aty thuhet se mbetet shumë për të bërë që përfitimet nga demokracia liberale dhe nga tregjet e lira tu kalojnë edhe vendeve pas komuniste në Evropë dhe në Euroazi. Udhëheqësit perëndimorë, thuhet aty, duhet të përtërijnë përpjekjet në mbështetje të reformës politike dhe ekonomike në vendet pas komuniste.

Raporti bën një klasifikim të vendeve paskomuniste përsa u përket arritjeve në aspektin e demokracisë. Në listën e Ballkanit, arritjet më të shumta i ka Bullgaria, pastaj vijnë me radhë Rumania, Serbia dhe Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria dhe në fund Bosnja.

Shqipëria ka bërë përparim në aspektin e shoqërisë civile dhe të shtypit të pavarur ndërsa ka bërë hapa prapa përsa i përket luftës kundër korrupsionit. Në këtë aspekt të fundit, Bosnja dhe Maqedonia cilësohen si vende që kanë bërë përparim gjatë vitit 2003.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti i organizatës Freedom House thotë se shpresat se zgjedhjet vendore të tetorit 2003 do të shënonin fillimin e një tradite për procese zgjedhore të lira dhe të drejta, u dëmtuan seriozisht për shkak të parregullsive të shumta.

Këto, duke i shtuar edhe dështimin të përpjekjeve të kryeministrit Fatos Nano për të plotësuar postet ministrore në qeverinë e tij, bënë që reformat të ndaleshin dhe vunë në rrezik bisedimet e Shqipërisë për marrëveshjen e asocim stabilizimit me Bashkimin Evropian.

Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se përparimet e Shqipërisë në aspektin e e shoqërisë civile dhe të shtypit të pavarur janë rrjedhojë e përmirësimeve në punën e organizatave jo-qeveritare për të ndërgjegjësuar njerëzit lidhur me çështjet e rëndësishme të vendit si dhe e një farë përparimi të bërë nga mediat për mbulimin me paanshmëri të zgjedhjeve vendore.

Ndërsa hapat prapa në aspektin e korrupsionit kanë të bëjnë me ndërhyrjen gjithnjë e më të madhe të biznesit privat në formulimin e politikave shtetërore përmes korruptimin të zyrtarëve.

Freedom House është një organizatë jopartiake, e themeluar dekada më parë me synimin për të qenë një zë i qartë në favor të vlerave të demokracisë.

XS
SM
MD
LG