Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, viziton Shqipërinë - 2004-05-25


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, pritet të fillojë te merkuren një vizitë dyditore në Tiranë, nën interesimin e jashtëzakonshëm të qarqeve politike, në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin euro-atlantik me Shqipërinë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës ka programuar takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, presidentin e Republikës Alfred Moisiu, kryeministrin Fatos Nano, përfaqësues të parlamentit dhe të diplomacisë. Ndërsa një takim të veçantë ku edhe do të mbajë një fjalim ai e ka parashikuar me Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, ku do të marrin pjesë shumë politikanë, diplomatë, ushtarakë e studentë të universitetit.

Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, Arian Starova, thotë se vizita e zotit Scheffer tregon se Tirana po bëhet një adresë e rëndësishme ku drejtuesit e NATO-s shkëmbejnë mendime për sigurinë rajonale dhe botërore.

“Unë e shoh të rëndësishme këtë vizitë për shkëmbimin e ideve dhe ndërmarrjen e hapave. Po ashtu edhe për faktin që për cështje të sigurisë dhe paqes, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet jo më vetëm konsumuese sigurie por edhe dhënëse e sigurisë, po kontribuon, qoftë edhe në mënyrë modeste për paqen rajonale dhe botërore”- tha ai.

Zoti Starova thotë se Shqipëria ka 12 vjet që aspiron të anëtarësohetnë NATO dhe shpejtësia në këtë proces mund të kishte qenë edhe më e madhe, sepse gjithë opinioni shqiptar e dëshiron këtë. Por kriteret nuk janë vetëm ushtarake, sipas tij, ato përfshijnë edhe vlerat demokratike, institucionet, sundimin e ligjit, që lidhen edhe me integrimin në Bashkimin Europian.

“Ky grup kriteresh i përbashkët për integrimet euro-atlantike të Shqipërisë kanë patur në zbatim disa ngadalësime, për shkak të një sërë dukurish negative, për të cilat Shqipëria është kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Këto kanë ndikuar disi edhe në ngadalësimin e shpejtësisë së ecjes së Shqipërisë drejt NATO-s. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, në tërësi ecja e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO ka patur një ngritje të vazhdueshme” - tha zoti Starova.

Vizita në Shqipëri e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Scheffer, është pjesë e një turneu të tij nëpër vendet e rajonit, pak javë përpara Samitit të NATO-s që do të mbahet në Stamboll.//ii

XS
SM
MD
LG