Lidhje

Anan: qeveria e përkohshme irakiane mund të emrohet brenda pak ditësh - 2004-05-26


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, tha se parashikon që i dërguari i tij i posaçëm për Irakun, Lakhdar Barhimi, të jetë gati brenda pak ditësh të emrojë anëtarët e një qeverie të përkohshme irakiane.

Zoti Anan e bëri këtë koment të martën para se të informonte Këshillin e Sigurimit mbi punën e zotit Brahimi në Irak. Ai foli në përgjigje të njoftimeve se zoti Brahimi mund të mos e përfundojë punën brenda afatit të 31 majit për të emruar qeverinë e re për shkak të mungesës së koncensusit midis irakianëve.

Ndrëkohë, disa vende që ishin kundër ndërhyrjes ushtarake në Irak, kanë reaguar me rezerva ndaj një projektrezolute të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, në të cilën shprehet mbështetja për një qeveri të përkohshme sovrane irakiane.

Projektrezoluta parashikon vazhdimin e pranisë në Irak të një force shumëkombëshe nën komandën e Shteteve të Bashkuara, pas kalimit të pushtetit më 30 qershor. Franca, Gjermania dhe Rusia thonë se kërkojnë të sigurohen që qeveria e re irakiane të jetë me të vërtetë sovrane.

Të martën u duk sikur midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kishte mosmarrëveshje lidhur me nivelin e kontrollit që qeveria e përkohshme irakiane do të ketë mbi trupat e huaja paqeruajtëse.

Kryeministri britanik, Tony Blair, tha se pas kalimit të pushtetit, qeveria e përkohshme irakiane do të ketë kontrollin përfundimtar politik, siç u shpreh ai, mbi veprimtaritë ushtarake të koalicionit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se forcat amerikane do të bëjnë ç’është e domosdoshme për të mbrojtur veten, edhe nëse kjo bie ndesh me pozitën irakiane.

XS
SM
MD
LG