Lidhje

Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni për vitin 2003 - 2004-05-26


Gjendja e të drejtave të njeriut, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni vazhdon të mbetet problematike, sipas raportit të fundit të organizatës Amnesty International. Raporti përfshin ngjarjet nga janari deri në dhjetor të vitit 2003.

“Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, thuhet në raport, vazhdoi të vuante nga qeveria e dobët, korrupsioni i gjerë, niveli i lartë i papunësisë dhe mosbesimi i publikut tek pavarësia e sistemit gjyqësor, të gjithë këta, faktorë që kontribuan tek vazhdimësia e krimeve të dhunës dhe të organizuar”.

Në raport përmendet fakti se në tetor Shqipëria ratifikoi Protokollin e Koventës së OKB-së kundër torturës, vendi i dytë që e bënte një gjë të tillë.

Sipas Amnesty International, keqtrajtimi i të ndaluarve gjatë arrestimit dhe paraburgimit vazhdoi të ishte diçka e zakonshme. Në raport përmendet rasti i Ndoc Vuksanit, që mesa duket ishte rrahur brutalisht në policinë e Shkodrës dhe pas gjashtë orësh ishte liruar për mungesë provash.

Në nëntor, pas një vizite në Burgun e Burrelit, Avokati i Popullit arriti në përfundimin se një zyrtar i lartë i këtij burgu kishte rrahur dhe keqtrajtuar 10 të burgosur dhe i kërkoi prokurorit të rrethit të fillonte procedurën penale kundër tij.

Viktimat e keqtrajtimit nga ana e policisë, shpesh nuk depozituan ankesa dhe si rezultat prokurorët në përgjithësi nuk arritën të hapnin hetime, kur të ndaluarit e nxjerrë para tyre kishin plagë të dukshme.

Në përgjithësi, oficerët e policisë gëzuan paprekshmëri në masë të konsiderueshme, megjithatë disa zyrtarë të policisë u ndoqën penalisht dhe u çuan në gjyq, nën akuzat për keqtrajtimin e të ndaluarve, që në një rast përfundoi me humbje jete. Në raport përmendet rasti i ish-shefit të policisë së Elbasanit Edmond Koseni, rasti i të cilit për turtura u pezullua. Megjithatë Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi rihapjen e çështjes ndaj tij. Akuza ndaj tij për torturë u hodh poshtë, gjë që u apelua nga prikuroria.

Rreth 1 mijë të burgosur kryesisht të ndaluar në paraburgim janë mbajtur shpesh në dhoma policie të mbipopulluara dhe në kushte të papërshtatshme higjienike. Kushtet shpesh ishin degraduese dhe çnjerëzore. Fëmijët nga 14 deri në 17 vjeç në mënyrë të paligjshme u vunë në qeli me të rritur.

Rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve ishin të shumta, veçanërisht në zona rurale. Sipas një raporti të UNICEF-it, 40 përqind e grave në 11 qarqe ishin rregullisht objekt dhune shtëpiake. Nuk ka klauzola ligjore që ndalojnë konkretisht dhunën në familje dhe vendimet e gjykatës nuk kanë pasqyruar gjithmonë sesa e rëndë është gjendja.

Varfëria, niveli i ulët arsimor dhe prishja e familjes patën një rol të madh në vazhdimësinë e trafikut të grave dhe fëmijëve, veçanërisht në Itali dhe Greqi për prostitucion dhe krah të lirë pune. Raporti përmend disa masa të marra për të luftuar këtë dukuri, si hapja e një zyre për këshillim ligjor falas për viktimat dhe një marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë dhe një numër agjencish të huaja për mbrojtje të dëshmitarëve, si edhe miratimin e një projekt-ligji për të njëjtin qëllim.

Për Kosovën në raport thuhet se sulmet ndaj pakicave të kthyerve si edhe pronave të tyre vazhduan, duke e frenuar kthimin e refugjatëve dhe të shpërngulurve. Në tetor Këshilli i Sigurimit njoftoi për keqësim të gjendjes së sigurisë.

Arrestimet dhe gjyqet për krime lufte ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së vazhduan, përfshirë Fatmilr Limajn, ndihmës i Hashim Thaçit, nën akuzat për krime kundër njerëzimit. Ata u transgferuan në Hagë. Ish-komandanti i UÇK-së Rustem Mustafa dhe tre të tjerë u shpallën fajtorë në Prishtinë për krime lufte. Ata u dënuan deri me 17 vjet burgim. Këto masa ngjallën protesta masive.

Dëshmitarët e gjyqeve për krime lufte u frikësuan, madje edhe u vranë. Në Janar persona të armatosur vranë Tahir Zemajn, së bashku me të birin dhe një kushëri. Ai ishte një dëshmitar i rëndësishëm në gjyqin e katër ish-anëtarëve të UÇK-së, ndërsa në prill u vra një dëshmitar tjetër, Ilir Selmanaj. Kjo bëri që dëshmitarë të tjerë kishin patur frikë të dilnin në gjyq.

Po ashtu pati pak përparim për gjetjen e të zhdukurve, ose të rrëmbyerve.

Trafiku i grave dhe vajzave për prostitucion vazhdoi të jetë i përhapur. Në tetor UNMIK-u deklaroi se që nga krijimi në vitin 2000, Njësia e për Policinë kundër Trafikut dhe prostitucionit kishte kryer mbi 1 mijë bastisje, kishte shpëtuar 300 viktima trafiku dhe ngritur 140 akuza.

Në Maqedoni, gjendja e të drejtave të njeriut u përmirësua, megjithatë tensionet e mes komuniteteve maqedonase dhe shqiptare hetrë pas here dolën në pah në incidente ndëretnike. Në raport thuhet se pati shpesh akuza për tortura dhe keqatrajtime nga zyrtarët e sigurisë. Trafiku i grave dhe vajzave për shfrytëzim prostitucioni vazhdoi, megjithëse pati arrestime dhe dënime të disa prej autorëve. Një ligj i ri i dha më shumë fuqi zyrës së Avokatit të Popullit.

Siç vihet re në raport, ka disa dukuri të përbashkëta për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedonië. Ajo që bie më shumë në sy është trafikimi i grave dhe vajzave, një shqetësim i shtruar shpesh nga konuteti ndërkombëtar. Ndërkohë keqtrajtimi i të ndaluarve dhe pakicave në rastin e Kosovës, tregon për dobësinë e shtetit dhe strukturave të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG