Lidhje

Kërcënimi terrorist shqetësim i madh për lojrat olimpike verore në Athinë të Greqisë - 2004-05-26


Në muajin gusht, Greqia do të organizojë lojrat olimpike verore në kryeqytetin e saj, Athinë. Për shkak të kërcënimit terrorist në gjithë botën, sigurimi do të jetë një shqetësim i madh. Buxheti për masat e sigurisë në lojrat olimpike të këtij viti është rreth 1 miliardë e 200 milion dollarë, disa herë më shumë se sa lojrat olimpike verore para 4 vjetësh në Australi. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj, presidenti George W. Bush diskutoi rreth lojrave olimpike dhe çështjeve të tjera me kryeministrin e zgjedhur kohët e fundit të Greqisë, Kostas Karamanlis.

Frymëzimi për lojrat olimpike moderne erdhi nga Greqia e lashtë dhe presidenti Bush i tha kryeministrit Karamanlis se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që lojrat po kthehen këtë vit në vendlindjen e tyre.

“Dua të të falenderoj për bashkëpunim tënd të ngushtë, për punën e përbashkët për t’u siguruar që lojrat janë të sukseshme dhe njerzit të jenë në gjendje të vijnë në vend tënd të bukur në një mjedis sa më të sigurtë që është e mundur.”

Rreth 80 mijë policë dhe ushtarë do të angazhohen në operacionet e sigurisë gjatë lojrave olimpike, që do të zgjasin dy javë. Greqia u ka kërkuar gjithashtu aleatëve të saj në NATO që të ndihmojnë në patrullimin e hapësirës ajrore me aeroplanë survejimi. Kryeministri Karamanlis tha se Greqia mezi pret zhvillimin e lojrave olimpike, të cilat do të jenë “të sukseshme në nivelin atletik dhe kulturor si dhe të sigurta.”

Qiproja ishte një çështje tjetër që kryeministri grek diskutoi me presidentin Bush. Muajin e kaluar, grekët e Qipros hodhën poshtë me shumicë dërmuese votash një plan të Kombeve të Bashkuara për ribashkimin e ishullit, i cili ka qënë i ndarë që prej vitit 1974 në pjesën veriore të vendit të banuar nga komuniteti turk dhe në pjesën jugore të banuar nga grekët e Qipros. Si Shtetet e Bashkuara, edhe Greqia e Turqia mbështetën planin e OKB-së për krijimin e një federate me 2 shteteve të pavarura nën një qeveri qëndrore.

Zoti Karamanlis tha se vendimi i komunitetit grek të Qipros duhet respektuar, por ai shtoi se Greqia do të mbështesë “përpjekje të reja për t’iu afruar objetivit përfundimtar, që është ribashkimi i ishullit.” Kryeministri Karamanlis e bëri gjithashtu të qartë se Greqia do të mbështesë anëtarësimin eventual të aleates për një kohë të gjatë të NATO-s, Turqisë, në Bashkimin Evropian. Së ardhmes së Evropës juglindore i shërbehet më së miri duke e anëtarësuar Turqinë në Bashkimin Evropian dhe afirmimi i këtij objektivi nga ana e kryeministrit Karamanlis është një hap shumë pozitiv për rajonin.

//ze//

XS
SM
MD
LG