Lidhje

Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania propozuan ndryshime në një projekt-rezolutë të OKB-së mbi Irakun - 2004-05-27


Të paktën 4 vende kanë propozuar ndryshime në një projekt-rezolutë të Kombeve të Bashkuara mbi Irakun, përfshirë specifikimin e kompetencave të qeverisë së përkohshme irakiane dhe kufizimin e mandatit të një force shumëkombëshe paqëruajtëse në vend.

Në një takim dje me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina u bashkua me Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të bërë thirrje për ndryshimin e projekt-rezolutës së paraqitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Në bazë të ndryshimeve, qeverisë së përkohshme irakiane, që do të marrë pushtetin më 30 qershor, do t’i jepet më shumë kontroll mbi forcën shumëkombëshe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që do të qëndrojë në Irak.

Në një propozim, Kina sugjeroi gjithashtu që mandati i kësaj force të skadojë pas janarit të vitit të ardhshëm kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet në Irak.

Po dje më parë, kryeministri britanik, Tony Blair, nuk u kushtoi rëndësi njoftimeve rreth mosmarrëveshjeve midis Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen se sa ndikim duhet të ketë qeveria e ardhshme irakiane mbi operacionet e trupave të koalicionit.

Kryeministri Blair tha se të dyja vendet janë të një mendimi që sovraniteti i plotë i duhet transferuar popullit irakian dhe se forca shumëkombëshe duhet të mbetet nën komandën amerikane sapo të marrë pushtetin një qeveri e përkohshme në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG