Lidhje

Intervistë me Z. Joseph DioGuardi, kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane - 2004-05-27


Ish ligjvënësi republikan nga Nju Jorku, Joseph DioGuardi, thotë se shqiptaro-amerikanët duhet t’i përqendrojnë energjitë e tyre në punën me Kongresin amerikan, ku siç thotë ai, ata kanë patur sukses deri tani. Zoti DioGuardi, i cili kryeson Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane me qendër në Nju Jork, thotë gjithashtu se energjitë e shqiptarëve nuk duhet të kanalizohen në ndonjërën prej fushatave presidenciale.

Zëri i Amerikës: Zoti DioGuardi, ju keni qenë ligjvënës republikan. Si lobist që punoni për çështjet shqiptare, si mendoni t’i kanalizoni energjitë e shqiptarëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale?

Joseph DioGuardi: Unë jam aktualisht kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë lobiste e cila nuk është me prirje partiake. Tani për tani, nuk mendoj se ne duhet t’i kanalizojmë energjitë dhe fondet e çmuara të shqiptaro-amerikanëve në ndonjërën prej fushatave presidenciale. Në Kosovë, koha nuk pret dhe ne nuk mund të presim deri sa presidenti, cilido që të jetë vitin tjetër, të fillojë të merret me çështjet e mprehta ekonomike dhe të sigurisë me të cilat përballet Kosova sot, ku 70 përqind e popullatës është e papunë. Pikpamja ime dhe e këshillit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane është se ne duhet të bëjmë atë që kemi bërë në të kaluarën. Duhet të punojmë në ato aspekte ku kemi patur sukses dhe konkretisht në Kongresin amerikan. Na duhet të punojmë si me republikanët edhe me demokratët në Kongresin amerikan për të nxitur Departamentin e Shtetit për të ndryshuar politikën amerikane në Ballkan sidomos për Kosovën. Ne e kemi bërë këtë për 15 vjet. Kemi punuar me lobin hebraik duke i shtyrë demokratët dhe republikanët si senatorët Joseph Biden dhe Joseph Lieberman apo anëtarët e Kongresit Tom Lantosh, Benjamin Gilman, Dana Rohrabaker dhe Henry Hyde. Ne patëm sukses kur i bëmë thirrje presidentit Clinton për të bombarduar forcat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Pra ne e kuptojmë se cilat janë ato gjëra që kanë sukses. Ne nuk jemi një komunitet i madh këtu në Amerikë prandaj duhet ta përqendrojmë mirë strategjinë tonë. Lidhja Qytetare Shqiptaro-amerikane po punon me forcë për të garantuar se pavarësia për Kosovën do të jetë çështja e parë në rend të ditës. Këtë po e bëjmë me anë të një rezolute të paraqitur në Kongresin amerikan si dhe përmes faqes sonë në internet, www.aacl.com.

Zëri i Amerikës: Presidenti që do të vijë në Shtëpinë e Bardhë do të jetë ndoshta njeriu në mandatin e të cilit do të vendosen gjëra të rëndësishme për statusin e Kosovës. Kam parasysh në radhë të parë mesin e vitit 2005, kur sipas planit të komunitetit ndërkombëtar do të ketë një rishikim të standarteve për Kosovën. Si mendoni ju ta shfrytëzoni këtë rast?

Joseph DioGuardi: E kam bërë të qartë në shumë raste se ne nuk mund të presim deri në vitin 2005. Unë e di se çfarë dëshiron departamenti i shtetit dhe se çfarë mendon Bashkimi Evropian nën ndikimin e Francës, Greqisë dhe Rusisë. Por ne duhet të tregohemi më të zgjuar. Ne duhet të pyesim veten se çfarë kërkon Kosova sot, çfarë kërkojnë shqiptarët përreth Kosovës sot dhe kjo kërkesë është përcaktimi qysh tani i statusit përfundimtar. Unë do të shkoj në Kosovë në muajin shtator së bashku me disa ligjvënës të rëndësishëm dhe ne do të kemi rastin t’i themi presidentit Bush se nëse ai kërkon mbështetjen e komunitetit shqiptar për t’u rizgjedhur, shqiptarët kërkojnë vetëm një gjë: pavarësinë për Kosovën. Shpresoj se të gjithë shqiptarët do të bashkohen me organizatën tonë, po ashtu si dhe anëtarë të senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve për t’i bërë thirrje Presidentit që të përpiqet për pavarësinë e menjëhershme të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Nga përvoja juaj e gjatë në punën me shqiptarët sa aktivë janë shqiptaro-amerikanët në fushatat presidenciale?

Joseph DioGuardi: Nga përvoja ime, komuniteti shqiptaro-amerikan gjithnjë ka qenë shumë më aktiv në fushatat për anëtarët e Kongresit. Me miqtë që ne kemi patur në të kaluarën dhe që përsëri i kemi, si senatorët Dole dhe Biden si dhe shumë të tjerë qoftë në të kaluarën apo sot, mund të them se 90 përqind e energjive tona janë përqendruar te Kongresi amerikan sepse kjo na ka dhënë rezultat dhe prandaj unë e kam përqendruar punën tek përpjekjet për tu lidhur me të gjitha organizatat shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në Ballkan për të bindur Departamentin e Shtetit përmes Kongresit amerikan që t’i bëjë ndryshime politikës së tij. Mendoj se ne të gjithë duhet të angazhohemi në garën presidenciale dhe të votojmë sipas bindjeve tona. Gara presidenciale do të jetë shumë e fortë dhe ka ende kohë për të marrë një vendim.

XS
SM
MD
LG