Lidhje

SHBA: ilaçe kundër Sidës për vendet në zhvillim - 2004-05-27


Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur një procedurë të re për miratimin e ilaçeve kundër Sidës për vendet në zhvillim. Sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Tommy Thompson e bëri këtë njoftim në një takim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë:

Sekretari Thompson tha se programi i ri do të përshpejtojë procedurat për sigurimin e ilaçeve të lira kundër Sidës për vendet në e Afrikës dhe Karaibeve. Programi do të mbikqyret nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet.

Në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll virusin HIV që shkakton sëmundjen e Sidës përdoret një kombinim i disa ilaçeve. Programi i ri i nxit kompanitë të prodhojnë mjekime që përfshijnë deri në tre ilaçe kundër virusit. Këto quhen kombinime me doza fikse. Kompanive farmaceutike u është kërkuar gjithashtu që të ambalazhojnë në paketa të përbashkëta ilaçet aktuale që përdoren së bashku për mjekim.

Një numër kompanish farmaceutike thonë se kanë filluar të prodhojnë mjekime me kombinim ilaçesh. Për të arritur sukses në këtë drejtim mund të duhet bashkërendimi i punës së kompanive konkurente.

Politika e re mbulon ilaçet që blejnë Shtetet e Bashkuara për vendet në zhvillim. Zyrtarët amerikanë thonë se kjo politikë do të ndihmojë në sigurimin e cilësisë së mjekimeve.

Sipas programit të ri, kompanitë që zotërojnë patentën e një ilaçi të caktuar ose të prodhimit të një kopieje identike të tij kanë të njëjtat të drejta për të kërkuar miratim nga Agjencia për Ilaçet dhe Ushqimet. Ato mund të ofrojnë studime ekzistuese që provojnë se këto ilaçe janë të padëmshme dhe efektive. Kompanitë duhet të tregojnë gjithashtu se janë në gjendje të prodhojnë pa vonesë një mjekim me kombinimin e ilaçeve. Në disa raste Agjencia për Ilaçet dhe Ushqimet mund të marrë vendim brenda 2-6 javësh nëse kërkesa e kësaj kompanie miratohet.

Veprimtarë kundër Sidës i kanë akuzuar prej kohësh Shtetet e Bashkuara se nuk kanë lejuar konkurencën në tregjet e ilaçeve për të mos lejuar futjen në tregje të mjekimeve me kosto të ulët. Ata vënë në dukje se ekziston një listë ilaçesh të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në të cilën përfshihen ilaçe me çmime të ulëta.

Por drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate Lee -Jong-wook thotë se e mirëpret programin e ri për miratimin e kërkesave të kompanive farmaceutike. Por ai thekson se ilaçet kundër Sidës të blera nga agjenci dhe qeveri të ndryshme duhet të përmbushin standartet për cilësinë dhe sigurinë.

XS
SM
MD
LG