Lidhje

Irak: Iyad Allawi, emërohet në postin e  kryeministrit - 2004-05-28


Këshilli Qeverisës Irakian, i emëruar nga Shtetet e Bashkuara, emëroi anëtarin e tij shiit, Iyad Allawi, në postin e kryeministrit në qeverinë e përkohshme të vendit.

Zëdhënësi i OKB-së në New York, Fred Eckhard, iu referua zotit Allawi si kryeministri i ardhshëm dhe tha se i dërguari i posaçëm, Lakhdar Brahimi, është i gatshëm të punojë me të. Ai i bëri këto komente pasi anëtarë të Këshillit Qeverisës Irakian thanë se zoti Allawi u emrua dje njëzëri në postin e kryeministrit të parë irakian të pas luftës.

Zoti Brahimi po kryeson përpjekjet për krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do ta drejtojë Irakun pas kalimit të sovranitetit më 30 qershor.

Zoti Allawi iku në mërgim pasi u hodh kundër qeverisë së Sadam Huseinit. Më parë, ai ka kryesuar një grup të pozitës që mbështetej nga shërbimet amerikane dhe britanike të zbulimit.

Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, u tha gazetarëve në Washington se mendon që sapo udhëheqësit e rinj irakianë të emërohen, disa prej tyre duhet të vijnë në New York për të diskutuar mbi një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara për Irakun.

“Parashikoj që një gjë e tillë të ndodhë. Mendoj se do të ishte pozitive që qeveria e re e përkohshme irakiane të paraqesë pikpamjet e saj për rezolutën, ndërkohë që ne shqyrtojmë atë.”

Presidenti Bush thotë se po bëhet përparim për arritjen e rezolutës, që do të njohë kalimin e pushtetit në Irak dhe do të autorizojë krijimin në atë vend të një force ndërkombëtare sigurimi, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Dje, presidenti Bush zhvilloi bisedime mbi Irakun në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin danez, Anders Fogh Rasmussen dhe u këshillua mbi Irakun me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Zoti Bush e siguroi përsëri udhëheqësin danez se qeveria e re irakiane do të ketë pushtetin në vendin e vet.

“I thashë kryeministrit danez se qeveria jonë, koalicioni ynë do t’ia transferojë sovranitetin e plotë një qeverie irakiane, që do të zgjidhet nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi.”

Danimarka ka rreth 500 trupa në Irak dhe ka qënë një aleate e patundur e Shteteve të Bashkuara në luftë.

Ndërkohë, trupat amerikane dhe anëtarë të milicisë besnike të klerikut radikal shiit, Maqtada al-Sadër, u përleshën në qytetin irakian jugor Kufa, duke kërcënuar kështu statusin e një armëpushimi një ditor.

Forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara thanë se i kanë ndaluar të gjitha operacionet në Kufa dhe në qytetin fqinj Naxhaf, pasi udhëheqësit shiitë thanë se kleriku Maqtada al-Sadër kishte rënë dakord të tërhiqte luftëtarët e tij nga kjo zonë.

Zëdhënësi i koalicionit, Dan Senor, tha se ka shpresë që armëpushimi të respektohet.

“Ne duam të arrijmë një zgjidhje paqësore. A mund të bëhet kjo? Mbetet për t’u parë, por shenjat e para janë pozitive dhe këto shenja vazhduan edhe sot. Ne vazhdojmë të jemi optimist, megjithëse me rezervë, rreth drejtimit që do të marrë kjo gjendje.”

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane në Bagdad, gjenerali Mark Kimmitt, tha se forcat amerikane do të vazhdojnë të patrullojnë dhe ruajnë ndërtesat në Naxhaf deri sa të dislokohen forcat irakiane të sigurimit për të mbrojtur banorët e qytetit.

Zyrtarët e koalicionit nuk i kanë ndryshuar kërkesat e tyre që kleriku Maqtada al-Sadër të shpërndajë milicinë e tij dhe të përballet me akuzat irakiane në lidhje me vrasjen e një kleriku rival vitin e kaluar.

Në Bagdad më shumë se 600 të burgosur u liruan nga burgu Abu Graib në kuadër të një programi për të pakësuar përgjysëm numrin e të burgosurve. Ky burg është në qendër të një sërë hetimesh lidhur me abuzimin e të burgosurve irakianë nga ushtarët amerikanë.

//ze//

XS
SM
MD
LG