Lidhje

SHBA dhe Shqipëria do të rritin investimet dhe shkëmbimet tregtare - 2004-05-28


SHBA do t’i japin tani Shqipërisë një mbështetje më të madhe për reformat dhe bashkëpunim ekonomik dypalësh. Ndihmës-Sekretari amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare, Uilliam Lash, deklaroi gjatë një vizite në Tiranë se shkëmbimet tregtare të SHBA e Shqipërisë si edhe investimet do të rriten, sepse ekziston një interesim shumë i madh mes palëve.

“Qëllimi kësaj vizite - tha ai në një konferencë shtypi - është që të rritet profili tregtar i Shqipërisë dhe të thellohen marrëdhëniet ekonomike. Shqipëria është një mik i ngushtë dhe partner i afërt i SHBA”. Zoti Lash përshkroi ngritjen e një përpjekjeje të koordinuar nga ana e administratës amerikane për të arritur rezultate konkrete në sferën e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë. “Është bërë një përparim shumë i mirë dhe kemi një bashkëpunim shumë i mirë me popullin dhe qeverinë e Shqipërisë në investime si ato të Lockhed Martin në aeroportin e Rinasit apo investime të mundshme përmes General Electric. Por ne duam të intensifikojmë më tej marrëdhëniet tregtare dypalëshe”- tha ai.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan të tregtisë, një shfaqje më e madhe e biznesit shqiptar në SHBA do të gjejë mbështetje. Po ashtu, SHBA do të ndihmojë forcimin e lidhjeve mes firmave në investime dhe në tregti, do të ndihmojë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe do të mbështesë luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit.

Një grup i madh biznesmenësh dhe zyrtarësh shqiptarë do të bëjnë në vjeshtë një vizitë në SHBA, por edhe në Shqipëri ka potenciale për investime të kompanive amerikane. “Është një potencial shumë i mirë që kompanitë amerikane të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri: - tha zoti Lash - Shqipëria është një vend mik dhe aleat i ngushtë i SHBA, këtu ka një fuqi punëtore të gatshme dhe të përgatitur, ekzistojnë mundësi shumë të mira për projekte në bujqësi, investime në turizëm dhe biznese të tjera. Kompanitë amerikane duhen njohur me këto mundësi, si edhe kompanitë shqiptare dhe qeveria të mund të paraqesin një klimë të përshtatshme investimesh”.

Gjatë vizitës në Tiranë Ndihmës - Sekretari amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare, U.Lash, bisedoi me zyrtarët shqiptarë për të ndihmuar në afrimin e partnerëve amerikanë për privatizimin e Albtelekomit, një proces shumë i rëndësishëm ky për Shqipërinë dhe ekonominë e saj.

XS
SM
MD
LG