Lidhje

“Dita pas së nesërmes” sjell apokalips në kinematë amerikane - 2004-05-29


Një apokalips i vërtetë pritej të ndodhte në kinematë e Shteteve të Bashkuara këtë fundjavë. Të hënën është Dita e të Rënëve dhe të premten fillojë të shfaqet filmi “The day after tomorrow”-”Dita pas së nesërmes”. Filmi pritej të ngjallte debate dhe diskutimet filluan që para shfaqjes së tij, do të ngjallë debate të shumta lidhur me politikat e ngrohjes globale.

Filmi “Dita pas së nesërmes” është historia e një aventure në kushtet e katastrofës. Shkaktari është ngrohja globale. Ndryshimi i menjëhershëm i klimës në botë e kthen qytetin e New Yorkut në një vend me ngrica dhe akull, shkakton stuhi në qytetin e Los Anxhelosit, stuhi me borë në New Delhi, në Indi dhe breshër me përmasat e një kokrre grejtfruti në Tokio. Por shtohet pyetja: a është filmi i gjithi fantazi? Jo vetëm fantazi, thotë Patrik Michaels, stujdues i mjedisit në Institutin Cato në Washington. Ai thotë se sipas një studimi, emocionet e fuqishme në ekranin e kinemasë mund të krijojë turbullira në botën reale. “Kemi të bëjmë thjesht me një tjetër shembull, se si një film, i cili e merr faktin nga jeta reale, në rastin tonë, fenomeni i ngrohjes globale më pas ky fakt shndërrohet në një apokalips të vërtetë, gjë që ndikon në politikën kombëtare”, thotë studjuesi.

Por ish-nënpresidenti amerikan Al-Gore, i cili kohët e fundit është marrë me problemet e mjedisit dhe është autor i librit “Earth in the Balance”, “Ekuilibri i Tokës”, e sheh këtë problem në një tjetër aspekt.

“Ky është një rast i rrallë për zhvillimin e një diskutimi në shkallë kombëtare”, thotë ai.

Në librin e tij zoti Gore trajton ndikimin e ngrohjes globale. Ai gjithashtu mbështet fushatën e nisur kohët e fundit, mbi ndërgjegjësimin e publikut me fenomenin e ngrohjes globale. Zoti Gore thotë se fushata synon të korrigjojë nocionin mbi ngrohjen globale, i cili në film ekzagjerohet. “Administrata e presidentit Bush në mënyrë edhe më imagjinare se vetë filmi, po përpiqet t’i bindë njerëzit se nuk ka ndonjë problem serioz, dhe se vetë shkencëtarët nuk janë të sigurtë lidhur me masën e ndotjes së ambjentit, se nuk mund të bëhet asgjë për të ndryshuar praktikat e tanishme të hedhjes së mbeturinave në atmosferë”, thotë Al Gore.

Por studjuesi Michaels nuk është dakord me këtë mendim të zotit Gore.

“Shkencëtarët kanë njohuri të sakta për këtë çështje dhe zoti Gore nuk po tregohet i sinqertë lidhur me shkallën e njohurive të nevojshme në këtë fushë. Shkalla e ngrohjes globale njihet thuajse me saktësi nga shkencëtarët, ata thonë se gjatë 50 vjetëve të ardhshëm atmosfera do të ngrohet me tre të katërtat e një grade Celsius. Pasaktësia mund të jetë plus-minus një të katërtën e gradës Celsius. Çdo ligj që ka që bëjë me këtë çështje, si ai propozuar nga senatorët demokratë, apo ata republikanë, apo protokolli i Kiotos, do të kishin një ndryshim kaq të vogël temperaturë, sa që nuk do të ndikonin në rritjen e temperaturës”, thotë studjuesi.

Akti McCain/Leiberman mbi Klimën kërkon pakësimin e shkarkimit të dyoksidit të karbonit që shkakton ngrohjen globale. Zoti Michaels thotë se ky akt është në fakt një harxhim i kotë i parave të taksapaguesve amerikanë dhe ai ofron një alternativë më tepër në politikën e administratës së presidentit Bush.

Ish-nënpresidenti Al Gore thotë se megjithë reagimet që mund të ngjallë filmi “Dita pas së nesërmes”, ka ardhur koha që çështja e ngrohjes globale të renditet në krye të rendit të ditës së politikanëve amerikanë që zhvillojnë fushatën për zgjedhjet presidenciale. Prandaj një nga parrullat e fushatës për ngrohjen gloable është se ngrohja globale nuk është vetëm film. Ajo ka të bëjë me të ardhmen tuaj. Në se amerikanët e besojnë këtë parrullë, kjo është një histori tjetër.//kk//

XS
SM
MD
LG