Lidhje

Irak: Këshilli qeverisës irakian formon një grup pune për dëmshpërblimin e viktimave të regjimit të Sadam Husenit - 2004-05-30


Këshilli qeverisës irakian ka krijuar një grup pune lidhur me dëmshpërblimin e viktimave të regjimit të Sadam Husenit. Në krye të këtij projekti është ish i burgosuri politik Malik Dohan Al Hasani, i cili tani udhëheq Lidhjen e Avoketëve Irakianë.

Nën regjimin e Sadam Husenit, shumë irakianë humbën vendet e punës, u burgosën apo u ekzekutuan sepse thuhej se kishin kundërshtuar këtë regjim. Dan Senor, zëdhënës i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak thotë se “historia e këtyre abuzimeve është komplekse dhe përfshin mijëra njerëz.”

“Koalicioni ka krijuar këtë grup pune për të siguruar që përgjegjësitë për vendimet se si do të vihet në vend drejtësia të meren nga vetë irakianët. Koalicioni po krijon fondet fillestare, të cilat rrjedhin nga Fondi për Zhvillimin e Irakut për t’i dhënë shtytje këtij projekti tç rëndësishëm në emër të irakianëve. Kjo shumë është rreth 25 milionë dollarë.”

Zoti Senor tha se grupi për kompensimin e irakianëve do të punojë me viktimat e regjimit të Sadam Husenit dhe ministritë irakiane për të përcaktuar ato lloj padrejtësish që duhen kompensuar.

”Përveç çështjeve që po punohet në në fusha të tjera, siç është për shembull Komisioni Irakian i Pronave, ne do të shqyrtojmë mënyrat se si individët mund të paraqesin kërkesat e tyre për dëmshpërblim, të bëjmë rekomandime për shumën e dëmshpërblimit dhe mekanizmat se si ky dëmshpërblim do të ofrohet,” tha ai.

“Gjatë regjimit të kaluar, përparësia jonë e vetme ishte si të mbijetonim, thotë Muna Kdar, një punëtor vullnetar në Qendrën Irakiane të të Drejtave të Njeriut.

Kreu i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, Paul Bremer ka thënë se asnjë qeveri apo institucion tjetër nuk mund të shlyejë abuzimet e së kaluarës apo të heqë shenjat e lëna nga regjimi i vjetër irakian. Por dëmshpërblimi mund të ofrojë një element drejtësie për ata që vuajtën nën rexhimin brutal të Sadam Husenit. //IB

XS
SM
MD
LG