Lidhje

Terroristët përqendrohen tek tregëtia e mallrave të falsifikuara - 2004-05-30


Policia ndërkombëtare, Interpoli, paralajmëron se terroristët po përqendrohen tani tek tregëtia e leverdisshme e mallrave të fallsifikuara për të financuar operacionet e tyre. Por, siç njofton nga Brukseli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Roger Wilkinson, Interpoli thotë se qeveritë e vendeve të ndryshme sapo kanë filluar ta kuptojnë këtë kërcënim.

Në një konferencë dyditore në Bruksel, zyrtarë të rendit dhe udhëheqës të biznesit u përpoqën të krijonin një front të përbashkët në luftën kundër fallsifikimit të mallrave, që sipas vlerësimeve, u sjell organizatava kriminale rreth 600 miliardë fitime në vit ose rreth 6 për qind të vlerës së tregtisë globale të vitit të kaluar.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fallsifikimin e disqeve, rrobave apo të prodhimeve kozmetike. Një problem në rritje është fallsifikimi i ilaçeve, ushqimeve për foshnje dhe i pjesëve të këmbimit, përfshirë ato për avionët.

Interpoli thotë se megjithë kërcënimin që fallsifikimi paraqet për sigurinë dhe shëndetin, shumica e qeverive nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur këtij problemi.

Shefi i Interpolit, Ronald Noble, tha në konfererencë se fallsifikimi ka filluar të përdoret tani për financimin e veprimtarive terroriste. Ai përmendi kapjen vitin e kaluar në Liban të frenave dhe amortizatorëve të falsifikuar me vlerë prej 1 milion e 200 mijë dollarësh. Fitimet, tha zoti Noble, ishin destinuar për përkrahësit e grupit Hezbollah, të cilin Shtetet e Bashkuara e shikojnë si organizatë terroriste.

Zoti Noble tha se nga shitja e disqeve dhe e cigareve të fallsifikuara kanë përfituar organizata paraushtarake në Irlandën e Veriut dhe forcat kryengritëse marksiste në Kolombi.

Interpoli e cilëson tregëtinë me mallra të fallsifikuara si një krim të leverdisshëm që nuk përbën ndonjë rrezik të madh, i cilit nuk përbën ndonjë përparësi për shumicën e qeverive dhe të forcave policore. Sipas Interpolit, rreziku i përndjekjes penale për fallsifikuesit, nëse kapen, është i vogël. Edhe kur gjenden fajtorë, atyre u jepen dënime relativisht të lehta.

Objektivi kryesor i konferencës së Brukselit ishte nxitja e një bashkëpunimi më të madh midis zyrtarëve rendit dhe përfaqësuesve të biznesit në luftën kundër tregtisë së mallrave të fallsifikuara. Por, drejtori i njëaleance të sektorit privat në luftën kundër këtij problemi, William Dobson, thotë se kjo luftë nuk do të jetë e lehtë. “Kjo është një fushë e veçantë për forcat e rendit, ku ligjet dhe kontrolli janë në duart e sektorit publik, por njohuritë rreth prodhimeve dihen kryesisht vetëm nga pranarët privatë. Dhe kjo, theksoi zoti Dobson, është arsyeja që ne kemi nevojë për një partneritet të tillë.”

Zoti Dobson thotë se megjithëse kompanitë janë viktimat kryesore të fallsifikimit të mallrave, shpeshherë ato kanë ngurruar t’i publikojnë humbjet e tyre. Ai thotë se sektori i veshmbathjes humbet 9 miliardë dollarë në vit vetëm në Evropë, për shkak të fallsifikimit të mallrave. Kjo tregëti e paligjshme është shkaktare edhe për humbjen e deri në 100 mijë vendeve të punës në vit në vendet evropiane.

XS
SM
MD
LG